E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama bën thirrje që shqiptarët të rimarrin në dorë fatin e tyre

Tiranë, 5 Prill NOA Update Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka bërë një thirrje apel sot, ndaj të gjithë qytetarëve që të rimarrin në dorë fatin e tyre të marrë peng prej një pushteti që pasi grabiti votat, po rrënon ekonominë e vendit dhe të çdo familjeje shqiptare.

Thirrja e Ramës u bë sot gjatë një daljeje për mediat ku me tone të ashpra ai kritikoi mungesën e transparencës siç tha ai nga qeveria për zgjedhjet e 28 qershorit 2009. në këtë kuadër, Rama bëri dhe një tjetër thirrje: Të hapim kutitë dhe ndalim rrënimin ekonomik përmes protestave pa ndalim.

Këtu Rama kërkoi edhe çdo ditë një protestë për tu takuar që të gjithë në 30 prill në bulevardin e Tiranës.

Në fjalën e tij para kamerave, Rama e përmendi shumë herë termin shqiptarët të rimarrin në dorë fatin e tyre, kur bëri thirrje të njëpasnjëshme:

U bëj apel të gjithë atyre që duan të jetojnë me punë të ndershme të rimarrin në dorë fatin e familjeve të tyre për të dalë nga kurthi marramendës i një krize ekonomike e cila i ka rrënjët tek grabitja e votës së popullit dhe tek keqqeverisja e pushtetit të vjedhur që nuk garanton më askënd përveç vetvetes

U bëj apel të papunëve të rimarrin në dorë fatin e tyre të mbetur jetim në duart e atyre që jo vetëm grabitën votat në 28 qershor, por po mbyllin përditë vende pune.

U bëj apel sipërmarrësve të rimarrin në dorë fatin e tyre të nëpërkëmbur nga një pushtet që siç shkeli me këmbë kontratën me popullin duke grabitur votat, i ka vënë shqelmin çdo kontrate që garanton liri e të drejta për sipërmarrjen.

U bëj apel rrogëtarëve të keqtrajtuar të shtetit në administratë, spitale, shkolla, agjenci e ndërmarrje shtetërore, të rimarrin në dorë fatin e tyre si qytetarë që nuk mund të kthehen në skllevërit e një pushteti të ngritur mbi korrupsionin e votës dhe futjen kudo të frikës së largimit nga puna për një llaf goje.
U bëj apel bujqve, fermerëve e peshkatarëve, ushtarakëve të liruar, minatorëve në aktivitet a në pension, komuniteteve të prekura nga padrejtësitë mbi pronat, shoqatave e organizmave të shoqërisë civile, të gjithë atyre që nuk gjejnë shteg në xhunglën ku shkelen liri e të drejta kushtetuese për këdo që sështë pjesë e familjes në pushtet, të rimarrin në dorë fatin e tyre si njerëz që në mes të Europës nuk mund të vidhen as në lirinë e tyre për të zgjedhur dhe as në të drejtat e tyre për të jetuar si të barabartë para ligjit.

Kurse në përfundim të fjalimit të tij, Rama apeloi: Sot më shumë se kurrë është koha e një lëvizjeje të madhe qytetare në rrugën e protestës për tu ndarë nga e shkuara e pushtetit që sundon me pahir mbi njerëzit dhe për të afruar të ardhmen e njerëzve që mirëqeverisen falë zgjedhjes së lirë.

e.r/noa

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›