Edi Rama e shpall veten të pabesueshëm
Një njeri i cili, në largimet e tij të hershme jashtë shtetit, vetëm se u bë i pabesueshëm në antikomunizmin e tij fiktiv, duke u marrë me shitje ikonash të përçuara ilegalisht atjé, e ka bërë të pabesueshëm „Kurbanin“ e tij, qysh në f. 13. Edi Rama po bën kurban vetveten me këtë libër të hallakatur e thuajse enigmatik, të fryrë me hiperbola të çakërdisura për efekte, që s’kanë të bëjnë fare me artin e të shkruarit.
Shtëpia e tij me qira për jetën e re bashkëshortore, prej 75 m², synon të na japë përfytyrimin e një varfanjaku. Vështirësia ekonomike qëndron edhe në një pikturë (përmendet emri i piktorit), ndërsa ai vetë është piktor, si duket i pikturave të pashitura! Ballkoni “syqorruar” është përballë shumëkatëshit që i ndalon pamjen e Selitës. Por, amà, na lihet të kuptojmë se një snajper mund të bënte hatanë, duke na kujtuar mbarimin tragjik të Xhon Kenedit! Bën aludim për ato “karamelet” e Berishës në dritaren e apartamentit të tij të mëparshëm, me prapamendimin për të vënë në dorë një makinë të blinduar, meqë ato “karamelet” nënkuptonin plumbat e një atentatori. Mëtime të tilla nuk bëheshin as nga homologë të shteteve të pasur. Por ja që ky fukarai ynë fliste për atentate imagjinare, që të kapardisej në fuoriserin e rrallë në atë kohë. Kjo shtëpi e hershme përfytyrohej në “periferi”, kur gjendej nja 5 herë më afër Radio Tiranës sesa Kombinatit. Madjé me hamendësitë e pritës “gjakosëse” “ku desh lashë kokën”. “I shkreti!”, - thoshte Tartufi i Molierit.
Jemi 9 faqe pas asaj ngushticës prej 75 m² për të na çuar te shtëpia e mëparshme “periferike, me përdhosjen e kujtimit të babait, Kristaqit, nga mëkatari “gojëpashmagje” i Saliut që, me pasion “hipokriziak” (sa e bukur kjo fjala e fundit! Nuk u shkruaka dot pasion hipokrit!). Sipas një aleati të tij të sotëm, paçka se e kishte telendisur E.R.-n, jo shumë kohë më parë, me procesin gjyqësor të divorcit të tij me ish-bashkëshorten e parë. Si shpjegohet që Edi, ky armik i së vërtetës, tani kërkon të shfajësojë bash atë që në gazetë kishte botuar në imtësi atë gjyq skandaloz divorci, me fac símilet përkatëse, gjyq në të cilin Edi akuzonte të atin, për incest brenda familjes, si edhe për mohimin e djalit të vet, të cilin e quante bir të babait të tij? Dhe tani këtë njollosje, si falsifikator i regjur, kërkon t’ia veshë “Saliut” (Kështu e quajnë kryeministrin ai dhe të gjithë papagajtë e tij, ndërsa z. Berisha e quan atë, kurdoherë, “z. Rama”) . Por jemi te shpjegimi i shfajësimit të atij që paraqiti në gazetë, në të gjithë lakuriqësinë e tij, atë gjyq të bujshëm divorci, me fac símilet përkatëse. Këtë na e sqaron vetëm me tri fjalë Nikoló Makiaveli: “Qëllimi justifikon mjetet”. Qëllimi (në rastin tonë) kupton synimin patologjik të Edit për t’u bërë me çdo kusht kryeministër. Mjetet nënkuptojnë se të gjitha poshtërimet ndaj tij janë të gëlltitshme, nëse “kahja jote politike shndërrohet në 180°-sh, në ndihmesën që unë (Edi) t’ia arrij postit të kryeministrit”! Në faqen 31, pas 18 faqesh shkëputjeje, vjen sërish te “pasuria”. Tani iu vërsulet të gjithëve, që nuk besojnë në “varfërinë” e tij, se s’ia paska fajin vetëm “Saliu”, por edhe të tijtë: “Edhe më dashamirët e mi s’kanë kurajë ta përfytyrojnë e jo më ta besojnë, se arka ime e kursimeve është modeste (...) S’kanë mbetur veshë për të dëgjuar prej meje se gjithë ato miliarda, të nxjerra prej miliarda herëve që është (që janë) përsëritur gojë më gojë e vesh më vesh, si një jehonë që përplaset mal më mal e breg më breg dhe merr dheun për vite me radhë pa pushim, skaj më skaj, duke e bërë gënjeshtrën të vërtetë e të vërtetën rrenë me bisht, janë në fakt vetëm kostoja e lartë e një lufte të paskrupullt politike. Damkë e pashlyeshme. (fundi i faqes 31). Por edhe atëherë zor të them se njerëzia do të pajtohet me tjetër të vërtetë, duke hapur kapakët e miliarda fjalëve për ta bërë të vërtetë gënjeshtrën” . Nuk na ndahen hiperbolat. Por nga të dy fjalët e fundit kuptohet se ato miliardat e fjalëve shfajësuese janë të Edit. Edhe ato jehonat mal më mal e breg më breg e skaj më skaj, janë një vox clamantis in deserto (një zë që thërret në shkretëtirë), që njerëzia të pajtohet me të vërtetën e Edit . Vjen një pikë kur Edi bëhet agresiv ndaj njerëzve, në përgjithësi (f.32) me frazën se kaq i bën se ç’mendojnë ata! Ai e ka hallin tek e ëma dhe tek i ati paçka se këtë të fundit e kishte akuzuar për incest, ndonëse tani flet për familje të bukur! Ka edhe një frazë për miletin (popullin): “Ky do të më dijë po aq të pasur sa të korruptuarit e këtij vendi (32) Pas këtyre fjalëve që aludojnë se populli e quan të korruptuar, - si do të mund të bëhet kryeministër? Me metoda provokuese si ato të 20 janarit, që vihen në zbatim më 21 janar? Në f. 33 shkruan se është “është bërë pothuajse e pamundur për publikun, që të çmësohet me çmësimin e imponuar, duke folur fill më pas për triumfin e vlerave minimale (me triumfin e së keqes?) dhe me “pahirin(!)” e boshllëkut pa vlera morale e pa etiketë...”. [Kush e shiti etiketën në Pazar, që ta blejë E. Rama? Ai s’po mësohet dot që të vërë një “zoti”, para emrit të doktorit, ndërsa ky, në mënyrë të pamunguar, e përmend atë me Zoti Rama! Kjo është etiketa e tij?]. Pa le fjalitë që s’merren vesh!
E pakta që mund të nxjerrim si përfundim nga sa cituam gjer këtu, është se ai nuk di të shprehet thjesht e në mënyrë të kuptueshme. Togfjalëshit “çmësime të çmësimit” janë opake. Ato përbëjnë një kontrast të thekshëm me transparencën, të cilën e kishte bërë si lajtmotiv, ndërsa ishte personifikimi i së kundërtës së transparencës, me fraza të errëta dhe ekuivoke. Më tej, në faqet 34-35, bie në kllapí duke parë halucinacionet e një personi “sikur qëllonte me thikën e urrejtjes tribale në një trup të padukshëm përballë tij kur, i tronditur dëgjonte se po fliste për djalin e tij”. (E kishte fjalën për z. Berisha!). “Fliste për të ëmën dhe për të atin”. Iu kthye prapë faqes 21, 14 faqe më parë, “për baltën e ndyrë të shpifjeve kundër Kristaq Ramës. (Shpifje është firma për ekzekutimin e Havzi Nelës? Shpifje janë të dhënat e gjyqit kundër ish-gruas së tij të virtytshme, që ai gazetari investigativ ia nxori në gazetën e tij? Përse s’pati asnjë kundërvënie atëherë ndaj këtij aleati të tanishëm? Tani aludon për kryeministrin, me transplantime qesharake të thënieve të tjerëkujt! Apo t’ia kujtojmë sërish Makiavelin? Citojmë “Paskësha braktisur tim bir, bashkë me të ëmën, duke i mohuar thërrimen e bukës”. Arrin të mohojë edhe gjyqin e bujshëm të divorcit!
A nuk do të ishte më mirë që Edi të mos hapte tema të tilla, (paçka se me fraza të ngatërruara), duke dhënë shembullin e keq në detyrimet e të tjerëve që të mos merren me privatësinë (privacy-n) e tij? Ai shkon edhe më larg. Siç mohon që Kristaqi ka firmosur për varjen e Havzi Nelës, ashtu ai, Edi, ngatërron destinacionin kur ia vesh z. Berisha atë që ka provuar aleati i tij i sotëm, me fac símile për një gjyq që kishte nxjerrë në pah karakterin e ulët të vetvetes. Në shtëpinë e të varurit nuk përmendet litari!
Fill pas kësaj teme vjen ajo tjetra, kur ishte ministër i Kulturës, ngjarje së cilës i bie tangjent. Por kjo meriton shkrim më vete!