Fakti/Një herë në 4 vjet, sa herë afron humbja, Taulant Balla përsërit e-mailin e akuzave
Partia Socialiste e marr peng prej disa vitesh nga Edi Rama, s’po di më ç’të kurdisë kundër mazhorancës, deputetëve, ministrave, kryeministrit dhe familjarëve të tyre, në përpjekje për të arritur kredo elektorale dhe po u rikthehet metodave të 4 viteve më parë, të cilat për ironi të fatit i rezervuan kreut të PS, humbjen në zgjedhje. Ashtu si katër vjet më parë, Taulant Balla është sërish në rolin e tellallit dhe megafonit të prishur, që përcjell shpifjet dhe akuzat e artikuluara dhunshëm në "ngrehinën socialiste".
Të jetë rastësi fakti që, PS në prag të zgjedhjeve i rikthehet të njëjtit ritual akuzash, prej të cilave ka marrë ndëshkim elektoral?
Jo dhe aq.
Askush më mirë se Edi Rama s’e di që Partia Socialiste s’është e gatshme të vijë në pushtet, të paktën, jo për sa kohë që kryetar-uzurpator i saj, të jetë vetë Edi Rama. Dhe siç thotë një shprehje e urtë popullore, “kur s’ke ç’bën, tund derën”, akuzat dhe përbaltja ndaj mazhorancës, është e vetmja formë hakmarrëse e Ramës.
Stisja e akuzave nga më të ndryshmet ndaj familjarëve të kryeministrit, me pretendime se pasuria e tyre është e paligjshme, në një kohë kur institucionet përgjegjëse konstatojnë deklarime të rregullta dhe për më tepër, burimet e të ardhurave janë të justifikuara, tregon gjendjen dhe situatën e rëndë se, Partia Socialiste noton në moçalin e krizës së identitetit. Një forcë politike, e dyta më e votuar, në vend që të prodhojë alternativa politike dhe t’i kundërvihet mazhorancës me kundër-argumente në debate të hapura dhe publike, rreth çështjeve sensitive me impakt të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve, e ka mendjen tek artikulimi i akuzave dhe përbaltjen e pjesëtarëve të familjes së kryeministrit apo dhe të ministrave.
Në kushtet e një krize të vërtetë programore, PS detyrohet të zhytet në moçalin e krizës të thelluar prej vetë saj, pa u shqetësuar për teza, ide dhe alternativa që mund të sjellin zhvillim. Kësisoj, rikthimi i vëmendjes tek të njëjtat akuza si në 2009-ën, ndaj familjarëve të kryeministrit, për të cilat Edi Rama e ka marrë njëherë përgjigjen si nga familjarët e kryeministrit ashtu edhe nga vota e qytetarëve shqiptarë, hedh dritë mbi një panoramë rrëqethëse sesi PS po e përjeton afrimin e datës së zgjedhjeve parlamentare. Edi Rama s’ka pikë dyshimi se edhe 2013-a do jetë viti i dështimit të tij elektoral. Ajo që i mbetet nga ky vit i brishtë për të, është padyshim kalvari i akuzave ndaj mazhorancës, deputetëve, ministrave, kryeministrit dhe familjarëve të tyre.
“Shpif, shpif se diçka do mbetet”, është edhe slogani i ri elektoral i Edi Ramës, prej të cilit është i dënuar të mbetet në opozitë edhe për një mandat tjetër 4 vjeçar.
...