Edi Rama fton Fatos Nanon në festën e themelimit
Një ditë para se Kolegji Zgjedhor të japë vendimin për kreun e Bashkisë së Tiranës dhe të përcaktojë, siç ka thënë kreu socialist Edi Rama, fatin e demokracisë në vend, Partia Socialiste do të festojë 20-vjetorin e themelimit të saj. Kur e gjithë vëmendja është përqendruar pikërisht te vendimi i Kolegjit, selia rozë ka vendosur të festojë, si për t’i treguar opinionit publik se kriza nuk është në anën e saj dhe se ajo është fituesja e zgjedhjeve të fundit vendore. Ndaj nesër në orën 19:00, te Hotel “Sheraton” socialistët kanë organizuar një pritje festive, ku gjithsesi situata aktuale politike do të jetë në qendër të vëmendjes. E përveç fjalës së rastit, që pritet të mbajë kryesocialisti Edi Rama, interes përbëjnë dhe të ftuarit që do të jenë pjesë e këtij përvjetori. Kështu, festa do të mbledhë vetëm të majtë dhe aleatë të tyre në opozitë, duke përjashtuar kështu ftesat për kundërshtarët politikë, siç është Kryeministri Sali Berisha apo edhe ish-kryeministri socialist, Ilir Meta, që sot gjendet në kampin kundërshtar. Nuk është ftuar as Presidenti i Republikës Bamir Topi, megjithëse ky ka marrë pjesë në festimet e fundit që kanë pasur socialistët, siç ishte dhe dasma e kryesocialistit Edi Rama. Ndërkohë që në këtë 20-vjetor, drejtuesit aktual të partisë kanë lënë mënjanë dhe mëritë ndaj kundërshtarëve në parti, pavarësisht se i kanë akuzuar sistematikisht ata si bashkëpunëtorë të Berishës. Burime të sigurta nga PS bëjnë të ditur se një ftesë e veçantë i është dërguar edhe ish-kryetarit të kësaj force Fatos Nano. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se ish-liderit të kësaj force, ftesa i është dërguar dorazi në mënyrë që marrja e saj prej tij të ishte e sigurt, ndërkohë që organizatorët janë përpjekur ta konfirmojnë atë edhe me anë të telefonit. Pavarësisht kësaj, nuk dihet nëse Nano do t’i përgjigjet kësaj ftese, pasi thuajse prej nga viti 2007, ai nuk ka marrë pjesë në asnjë prej përvjetorëve të themelimit të forcës që ai e drejtoi për herë të parë dhe për 14 vite rresht. Gjithashtu, mësohet se në festë janë ftuar të marrin pjesë të gjithë anëtarët e Asamblesë Kombëtare, pa përjashtim, duke përfshirë këtu figura të tilla si Servet Pellumbi, Dritëro Agolli, Rexhep Meidani, themelues të saj, si Moikom Zeqo, Maqo Lakrori etj. Ftesa i janë dërguar edhe të gjithë aleatëve që gjenden sot në opozitë me Partinë Socialiste, si dhe figura të njohura publike, ashtu si edhe gjithë trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. Nuk dihen shumë detaje për organizimin e kësaj mbrëmje, megjithëse burime pranë organizatorëve të saj nuk përjashtojnë sërish tortën e ditëlindjes së PS-së. Në këto 20 vite jetë, PS ka drejtuar vendin për afro 9 vite, vitin e parë pas themelimit të saj, dhe 8 vite të tjera pas ngjarjeve të 1997, deri në vitin 2005 ku doli sërish në opozitë. Prej nga ky vit, PS ndryshoi dhe drejtuesin e saj, pasi Fatos Nano dha dorëheqjen për shkak të humbjeve të zgjedhjeve parlamentare të 2005. Pavarësisht qëndrimeve të diskutueshme të herëpashershme, PS jo pak herë ka qenë promotore e risive në politikën shqiptare, siç është futja për herë të parë e instrumentit të dorëheqjes në raste humbjesh, apo edhe parimit demokratik “një anëtarë një votë”, në rastin e zgjedhjes së kryetarit të saj.