Edi Rama me CV-të rikthen biografitë politikë
Harrohen pa hyrë në fuqi tre ligjet e integrimit. Pinjolli i brezit të dytë të bllokmenëve ka shpallur formimin e një zyre biografish në selinë e PS-së, si një sprovë publike për rekrutimin në administratë, duke përdhosur ligjin aq të rekomanduar nga BE të Shërbimit Civil, dhe duke paralajmëruar një fushatë të turpshme spastrimesh. Skandalizohet opinioni publik me sjelljen e një mazhorance që s’njeh as ligjet e shtetit e as rekomandimet e Brukselit
Në mbledhjen e djeshme të grupit të ri kuvendor të Partisë Socialiste, kryetari i kësaj partie, kryeministri i ardhshëm i vendit, tregoi edhe njëherë anarkizmin e tij në kuptimin e detyrave të drejtuesit të ekzekutivit. Ai ftoi të interesuarit të nisnin në drejtim të tij jetëshkrimet e tyre pasi ai do vlerësonte më të mirat për të punësuar këto individë. Në fakt kushtetuta dhe ligjet e rëndësishme i njohin kryeministrit të vendit të drejtën e emërimit të disa zyrtarëve të lartë të shtetit sipas propozimit që vjen nga ministria apo agjencia përkatëse. Vetë kryeministri nuk mund të mbledhë jetëshkrime, gjykojë apo vlerësojë mbi bazën e tyre. Aq më shumë akoma këtë gjë nuk mund ta bëjë një parti e caktuar pasi shprehimisht është e ndaluar. Nëpunësit e administratës shtetërore të niveleve specialist, përgjegjës sektori, drejtor, drejtor i përgjithshëm dhe sekretar i përgjithshëm i nënshtrohen konkurrimit të organizuar nga Departamenti i Administratës Publike, në bazë të ligjit nr.8549, datë 11.11.1999, i ndryshuar, (ligj i cili do të ndryshojë me hyrjen e ligjit të ri që u votua në kuadër të “tre ligjeve” të famshme) organizon konkurset e nëpunësve. Këto nëpunës pasi fitojnë vendin e punës janë në provë për një vit dhe më pas emërohen zyrtarisht nga Departamenti i Administratës Publike me një njoftim që i bëhet sekretarit të përgjithshëm të ministrisë përkatëse. Pas Edi Rama tregon se nuk e njohe fare këtë praktikë, rikthen në mënyrën më primitive format e kuadrit të komiteteve të PPSH-së apo komiteteve ekzekutive të këshillave popullore të rretheve ku në plan të parë ishte biografia e personit, qëndrimi i familjes gjatë luftës, meritat në ndërtimin e socializmit, ashpërsia në goditjen e armikut të klasës etj. Edi Rama kësisoj po e provon edhe më shumë pse nuk i donte tre ligjet e integrimit, ku ai i nëpunësit civil ishte pjesë e tyre. Themi se është fjala për nëpunësit civilë pasi emërime të tjera si në pushtetin gjyqësor, forcat e armatosura, etj, kanë rregulla edhe më të forta ku natyrisht përjashtohet vërtetimi biografik.
Të vetmet jetëshkrime që mund të përdorë Edi Rama dhe nëpërmjet tij Partia Socialiste për nevojat e saj janë sekretaret dhe këshilltarët e ministrave, shto këtu edhe drejtorët e kabineteve. Por askush nuk është naiv të besojë se zyra e biografisë në PS po hapet për sekretare e këshilltarë. Edi Rama edhe mund të mos ketë faj pasi atij i mungon përvoja e shtetarit. E vetmja përvojë për të është drejtimi arrogant i Bashkisë së Tiranës ku në rresht për emërime ishin shokët dhe klientela e tij, pa lexuar e pa pasur parasysh kurrfarë ligji e merite.
Vëzhgimi - Rama kamuflon fshesën në administratë me dërgim CV-sh në PS/Eksponentë të Partisë Socialiste kanë korrigjuar deklaratën e Edi Ramës se të gjithë qytetarët pa dallim bindje politike që duan të punojnë në administratë duhet t’i drejtohen me CV e tyre pikërisht atij në një e-mail publik. Një ditë më pas Arbër Mazniku, kryetar i Grupit të Punës për punësimin në Partinë Socialiste deklaroi se “kjo nuk është një ofertë për punë për këdo; është një mundësi për të krijuar një database kombëtar të aftësive”. Sipas tij, është menduar që një grup pune të shohë gjithë CV-të e aplikantëve dhe ato do t’u ndahen institucioneve respektive, që do krijohen, rindahen dhe është duke u bërë një studim i mirëfilltë i institucioneve, se si do të riadaptohen ato për t’i shërbyer Rilindjes”. Me fjalë të tjera, Partia Socialiste do të shpërndajë vende pune në administratë sipas përkatësisë politike dhe atyre që kanë shërbyer për Rilindjen. Në një farë mënyre kriteri për të punuar në administratë është verifikimi i përkatësisë së fushatës së Rilindjes dhe për këtë gjë është menduar ndryshim strukturor i ministrive. Edi Rama kërkon të kamuflojë fshesën në administratë me një dërgim CV-je në adresën zyrtare të Partisë Socialiste. Edi Rama kërkon të manipulojë opinionin publik për qëllimet me standard për punësimin, por në të vërtetë është synimi për të spastruar administranë që solli antarësimin në NATO dhe liberalizimin e vizave me një tufë militantësh që kanë shërbyer në fushatë. Dhe këtë revansh Edi Rama kërkon ta kamuflojë me me ndryshime strukturash dhe ngritje të ministrive të reja sepse në këtë mënyrë mund t’u shmanget padive të shumta gjyqësore të panafakëve të shkarkuar padrejtësisht që do të bllokonin sistemin gjyqësor. Spastrimet në administratën aktuale do të jenë të shumta por jo aq shumë sa për të kënaqur turmën e militantëve që iu është premtuar punë dhe privilegje të reja. Pra, Edi Rama mendon se ngritja e katër ministrive të reja do të punësojë një masë të madhe militantët dhe klientët e Rilindjes. Kjo u pa qartë në festën e fitores së Tiranës ku Pandeli Majko pretendent për ministër iu drejtua të gjithë socialistëve se, “ Do ikin ata që ju kanë nxirë buzën, do vini ju”. Pra, Majko iu premtoi të gjithë socialistëve që nuk janë pak, sipas KQZ, që do të sistemohen në punë.