Reagimi i PD: Kërcënimi ndaj Njazi Kosovrastit, vepër e dyshes Rama-Kokëdhima

PD drejt mandatit të katërt në Lezhë - KQZ zbulon manipulimin e komisionerëve të PS në 10 qendra votimi. Përfaqësuesi ligjor i PD, Kosovrasti: “Kam marrë mesazhe kërcënuese - në Lezhë manipulim i shëmtuar”
Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në KQZ, Njazi Kosovrasti deklaron se ka marrë mesazhe kërcënuese me jetë, pas deklaratave në Komisionin e Zgjedhjeve lidhur me rezultatin e zgjedhjeve në qarkun e Lezhës. Njazi Kosovrasti bën të ditur se në telefonin e tij kanë mbërritur dy mesazhe kërcënuese, nga persona ende të paidentifikuar. “Kam marrë mesazhe kërcënuese për familjen. Kërkoj ndërhyrjen e autoriteteve. Pavarësisht kërcënimeve do të them mendimin tim”- deklaroi Kosovrasti.
Përfaqësuesi ligjor i PD-së kërkoi dje që Komisioni Zgjedhor të marrë një vendim për hapjen e 10 kutive të votimit të ZAZ-së nr. 13, qarku Lezhë, pas konstatimit për ndryshim të shifrave në tabelat e rezultateve për disa subjekte politike.
Diskutimi i rezultateve të qarkut Lezhë u shoqërua me debate të forta në mbledhjen e sotme të KQZ-së, pas konstatimit se për 10 QV, KZAZ nr. 13 ka dorëzuar fotokopjet e tabelave përfundimtare dhe jo ato origjinale. Në këtë situatë KQZ nuk mund të nxjerrë një rezultat përfundimtar për këtë qark, pasi ai nuk mund të dalë nga tabelat e fotokopjuara.
Në këtë kuadër, Kosovrasti e cilësoi këtë situatë një ngjarje shumë të rëndë dhe një manipulim të shëmtuar dhe përgjegjësit duhet të përgjigjen ligjërisht. “Ky manipulim ka ndodhur nga tre personazhe me detyrë në KZAZ-në nr. 13, kryetarja Alketa Hoxha, përfaqësuese e PS-së, që ka qenë dhe dorëzuese e materialit në KQZ, e shoqëruar nga sekretari i komisionit, Aleksandër Gjonmarkaj (PD) dhe nënkryetari Gjovalin Gjeloshi (PD). Këta të tre janë manipulatorë dhe duhet të jenë pjesë e një gjykimi që duhet të vazhdojë me vendimmarrjen e KQZ-së”, u shpreh Kosovrasti. Nga ky manipulim, vijoi ai, favorizohet subjekti PS dhe bashkë me të koalicioni i majtë. Përfaqësuesi i PD-së tha se nga informacioni i mbërritur elektronikisht në KQZ rezulton se shumatorja e votave për koalicionin e majtë në 248 QV të qarkut Lezhë është 38. 270 vota, ndërsa koalicioni i djathtë ka marrë 38.555, ose 285 vota më shumë se i pari.
Reagimi i PD: Kërcënimi ndaj Njazi Kosovrastit, vepër e dyshes Rama-Kokëdhima/Partia Demokratike ka reaguar fort në lidhje me kërcënimet në telefon të përfaqësuesit të saj ligjor në KQZ, Njazi Kosovrasti. Në një deklaratë për mediat, deputeti Gerti Bogdani bëri përgjegjës direkt kryesocialistin Edi Rama dhe deputetin Koço Kokëdhima për mesazhet kërcënuese ndaj Njazi Kosovrastit, pas ankesës që ky i fundit ka paraqitur në KQZ, për qarkun e Lezhës. “PD deklaron se asnjë kërcënim dhe akt kriminal nuk mund të imponojë grabitjen e mandatit. PD denoncon me ashpërsinë më të madhe këto kërcënime të Ramës dhe Kokëdhimës, dhe i garanton ata se për çdo veprim kriminal të ndërmarrë ndaj demokratëve do të përgjigjen ata dhe vetëm ata personalisht”, theksoi Bogdani. Deputeti i PD, Bogdani akuzoi po ashtu Partinë Socialiste se ka falsifikuar 10 procesverbale në qarkun e Lezhës, ndërsa i bëri thirrje organeve të drejtësisë të ndërmarrin me shpejtësi hetimin e këtij akti të shëmtuar, të gjejnë autorin dhe lidhjet e tij me dyshen Rama- Kokëdhima. Në mbledhjen e djeshme të KQZ, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve Njazi Kosovrasti ndërsa ka kërkuar nga KQZ administrimin e plotë të të dhënave të tabelave elektronike të rezultatit zgjedhor për KZAZ 13 në qarkun e Lezhës, lexoi mesazhet kërcënuese të nisura në kohën e fjalës që mbajti në KQZ. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve nuk ka mundur të miratojë tabelën e rezultatit zgjedhor për qarkun e Lezhës për shkak të materialeve që kanë mbërritur nga KZAZ e këtij qarku. Sipas administratës së KQZ nga 10 qendra votmi janë sjellë tabela të fotokopjuara dhe ku janë fshirë të dhënat origjinale. Në këto kushte KQZ u ka kërkuar subjekteve politike të sjellin kopje të origjinalit të tabelave të KZAZ 13 në Lezhë, e më pas të bëhet mbledhja e të gjitha tabelave për qendrat e votimit në këtë qark në mënyrë që të shpallet rezultati. Sipas pretendimit të demokratëve nga rezultati origjinal i zgjedhjeve në këtë qark i kanë kaluar në favor të PS 541 vota, ndërsa sipas rezultatit zyrtar sipas Kosovrastit koalicioni i djathtë ka 285 vota më shumë se ai i majtë, çka sjell përmbysje të rezultatit nga 4 me 3 në favor të së majtës, në katër me tre në favor të së djathtës.