Edi Rama, pranon: nuk bëj për kryetar
Gjysmë intervista e djeshme e Edi Ramës, e mbushur me doza qejfmbetje dhe pesimizmi, ishte autodëshmia më e mirë, se PS-ja ka mbetur pa kryetar. Mes ankimeve se nuk u pyet për zgjedhjen e kreut të ri të SHISH-it, mes pendesës se gaboi me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, mes keqardhjes se do ti mungojnë komunikimet me Bamir Topin, por për më tepër mes dëshpërimit se PS-ja nuk është një “robot perfekt”, Edi Rama dukej se e kishte nxjerrë në ankand këtë forcë politike, gati duke u lutur “gjeni një drejtues tjetër se unë nuk mundem…”
Gjysmë intervista e djeshme e Edi Ramës, e mbushur me doza qejfmbetje dhe pesimizmi, ishte autodëshmia më e mirë, se PS-ja ka mbetur pa kryetar. Mes ankimeve se nuk u pyet për zgjedhjen e kreut të ri të SHISH-it, mes pendesës se gaboi me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, mes keqardhjes se do ti mungojnë komunikimet me Bamir Topin, por për më tepër mes dëshpërimit se PS-ja nuk është një “robot perfekt”, Edi Rama dukej se e kishte nxjerrë në ankand këtë forcë politike, gati duke u lutur “gjeni një drejtues tjetër se unë nuk mundem…”.
Në gjysmë intervistën për një të përditshme afër së majtës, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i përgjigjet disa pyetjeve-sponde për të sulmuar me flakë e zjarr presidentin Nishani, kryeministrin Berisha, institucionet Kushtetuese ndërsa mbron Bamir Topin dhe pendohet për ngutjen për të ndryshuar kushtetutën në prill të 2008.
Kreu i opozitës e nis përgjigjen e pyetjes së parë për ndryshimin e kreut të SHISH me faktin që ai dhe opozita nuk ishin njoftuar për këtë ndryshim.
“Z. Rama pyetja e parë lidhet me çështjen e SHISH-it dhe ndryshimin e drejtorit të tij. Ju kishit dijeni për këtë që ndodhi?”.
“Asnjë dijeni”, u përgjigj ai.
E çuditshme në këtë mesele është se SHISH është një agjenci kombëtare në varësi të kryetarit të Këshillit të Ministrave (neni “4”, i ligjit nr. 8391, datë 28/10/1998) dhe askund nuk gjendet një procedurë marrje leje te kreu i opozitës për ndryshimin e një agjencie në varësi të kryeministrit. Pastaj neni “5” i ligjit të mësipërm e cilëson procedurën e ndryshimeve në SHISH, “Kryetari dhe zëvendëskryetari i tij emërohen dhe shkarkohen nga Presidenti i Republikës me propozim të kryetarit të Këshillit të Ministrave”.
Afërmendsh mbyllet këtu e në këtë pikë e gjithë telenovela e opozitës për padijeninë e kryetarit të partisë Socialiste për emërimet dhe shkarkimet që janë kompetence e kryeministrit të vendit.
Kuptohet vetiu, pasi i përgjigjet pyetjes së dytë “për rrezikun e marrjes së gjithë pushteteve nga Saliu”, Edi Rama thekson se fitorja e opozitës do të ekuilibronte Republikën pa thënë sesi do të arrijë të fitojë zgjedhjet.
Ndërsa pyetja e tretë ka të bëjë me pendimin e thellë të Ramës për ndryshimet Kushtetuese.
“S’di në historinë e pluralizmit shqiptar ndonjë rast kur lideri i njërës prej dy partive të mëdha të ketë pranuar publikisht një gabim, përveç rastit kur unë kam pranuar se gabuam duke u ngutur për një pjesë të atyre ndryshimeve”.
Po ta lexosh me vëmendje këtë përgjigje mund të kuptosh se “gabimi” i pranuar është në shumës “gabuam”, pra, del se nuk ka bërë vetëm ai gabim por dhe të tjerë, kësisoj shpërndahet përgjegjësia e faji i ngutjes.
Ndërsa sot pas ngeljes me gisht në gojë të opozitës, e cila pa kartën e bllokimit duket sikur nuk ekziston, Edi Rama se ka për gjë të pranojë “gabime” sepse dhe në “faj” kërkon të duket i sinqerti naiv. Paçka se dëshira e ethshme për të pasur dorë të lirë, nëse fitonte zgjedhjet parlamentare të 2009, për të ndryshuar të gjithë krerët e institucioneve Kushtetuese me mazhorancën e tij, i errësoi gjoja sytë. Këto pendime “pa karar pas pilafit” vlejnë saç vlen aspirina kur të dhembin këmbët.
Ndërkohë, pas pendesës vjen mbrojtja me shpatë për bamirësit e presidencës Bamir Topi, për të cilin Edi Rama thotë se “kam komunikuar normalisht që ditën e parë që i kam shkuar në zyrë”.
Sigurisht, komunikimi ndër ta ka qenë normal derisa dhuna radikale e demonstratës së 21 janarit 2011 u quajt prej bamirësit në presidencë si “ngjarje bulevardi”.
Më pas Rama kalon në mbrojtje të mos votimit për draft-ligjin e përbashkët të kufizimit të imunitetit në seancën parlamentare të 6 gushtit, “S’është opozita që pengon marrjen e statusit, po është Saliu që synon t’ia hedhë me çdo kusht fajin e opozitës për dështimin e mundshëm me statusin”.
Mirëpo pas kësaj tirade antiqeveritare, kreu i së majtës e ka të vështirë të japë arsye se përse PS-ja refuzoi të votonte një rekomandim të posaçëm të BE-së, aq sa ngre në qiell volumin e propagandës antiqeveritare “bllokuesi i projektit të Shqipërisë Europiane është Saliu, i cili e do Shqipërinë për vete jashtë çdo kontrolli”.
Kuptohet vetiu se interesat e ngushta politike të Ramës ngrenë “kushte” pas “kushtesh” murin e opozitës kundër çintegrimit të Shqiptarëve në komunitetin Europian.
Në pyetjet e parafundit ku gazetari e pyeste, “Po hyjmë në një vit elektoral dhe natyrshëm përveç luftës me kundërshtarin lind edhe rivaliteti i brendshëm. Si paraqitet situata në PS-ajo e vërteta - dhe a keni skicuar në mendje një ekip bashkëpunëtorësh me të cilët do të hyni në këtë sfidë?”.
Përgjigja e Edi Ramës është “Është e thjeshtë dhe e qartë: PS-ja nuk është një robot i përsosur, po një forcë politike shqiptare me të mirat e me dobësitë e saj”.
Pra, Rama shfaq pakënaqësinë për faktin që organizata politike që kryeson është e papërsosur. Ndonëse e vështirë të jetë ndryshe, kur mendimi ndryshe brenda PS-së është narkotizuar dhe grupi i miliarderëve kushtëzon fort iniciativën politike me paranojën e heqjes së imunitetit apo gjallimi i deputetëve të opozitës në “facebook” nga ku bombardojnë qeverinë me neverinë personale.
Çorientimi i opozitës është një pasojë e një agjende politike të dyzuar, disa deputetë janë për veprime radikale e disa të tjerë janë për veprime parlamentare, në mes qëndrojnë të hutuarit e partisë të cilët shkojnë nga fryn e era.
Në përfundim të pjesës së parë të intervistës, Edi Rama çuditërisht reflekton për qeveritë socialiste para vitit 2005, “Pavarësisht të gjitha të metave e po të doni edhe mëkateve të qeverive socialiste, periudha e qeverisjes së Shqipërisë nga socialistët ishte periudha kur jo çdo gjë zgjidhej me tiraninë e kartonëve”.
Është e çuditshme kjo deklaratë sepse me mëkatet korrupsionit kapilar dhe të “metave” qeverisëse të qeverisjeve socialiste 1997-2005 bënë të mundur ngjitjen në krye të Partisë Socialiste të Ramës.
Ky revizionim i korrupsionit të qeverive socialiste është një sinjal me drita të gjata për abuzuesit e mëparshëm të pamposhtur nga dara e ligjit për një koalicion gjahtarësh për pushtet. Ndaj edhe Edi Rama, si jo rastësisht ka zgjedhur që në një gazetë pranë qeverive socialiste “1997-2005” t’i shkel syrin specialistëve të aferave të mëdha.