E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama shpall kandidaturën e tij: Do qëndroj kryebashkiak i Tiranës

UPDATE- Kryetari i PS dhe kryebashkiaku aktual, Edi Rama, ka deklaruar në emisionin Top Story se ai do garojë sërish për Tiranën. Rama tha se ka qenë një proces i ngarkuar shpirtërisht për shkak se ndoshta kishte ardhur koha që Tirana të kishte një kryebashkiak tjetër nga PS. Unë do ta marr përsipër të qëndroj kryetar i bashkisë së Tiranës, për të gjithë ata që e kërkojnë këtë gjë nga unë, tha Rama.

Kryetari i opozitës ka rezervuar edhe një përgjigje për dorëheqjen e Bashës nga posti i Ministrit të Brendshëm dhe dorëzimi i mandatit të deputetit.

Dorëheqja e Bashës është një hap drejt përballjes me drejtësinë. Basha është thjesht e vetëm një person në kërkim nga populli shqiptar për çështje të hapura me drejtësinë, tha Rama.

Basha figuron në raportet e Bashkimit Europian si shëmbëlltyrë e kulturës së pandëshkueshmërisë në Shqipëri.

Lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke folur në Top Story në Top Channel, e konsideroi mungesën e drejtësisë si problemin kryesor me të cilin përballet vendi.

Në të njëjtën kohë, ai e cilësoi gjendjen aktuale si dramatike, pasi vështirësive ekonomike që kjo qeverisje i ka shtuar shqiptarëve, i është shtuar edhe mungesa e lirive demokratike dhe shtypja.

Situata në vend është më e rënda që vendi përjeton. Mund të krahasohet vetëm me situatën e viteve të fundit të rrënimit të regjimit të Saliut të parë.

Është e rëndë situata nga ana demokratike, e drejtësisë dhe ajo ekonomike. Shqiptarët kanë problemin e madh të pafuqisë blerëse. Saliu nuk akuzon prokurorinë për njëanshmëri, por shpërdoron më mënyrën më skandaloze jo vetëm detyrën, por edhe opinionin publik pasi e cilëson kryeprokuroren si lavire, theksoi Rama.

Unë jam si të gjithë qytetarët e vendit, i tronditur për gjendjen e drejtësisë në vend. Tre vjet pas ngjarjes në gërdec nuk ka asnjë fajtor dhe drejtësia është gjunjëzuar para presionit mafioz të Saliut, që ka interesa familjare për të mos lejuar hetimin deri në fund. Jam i shqetësuar edhe për vdekjen e një deputeti të Partisë Socialiste, për vdekjen e kryekomunarit në Kukës, që është vrarë edhe ai.

Kryetari i PS, Edi Rama ka deklaruar se opozita nuk është tërhequr asnjëherë nga kërkesat dhe kushtet e saj për zgjedhjet e 28 qershorit, por edhe për ato të 8 majit.

Ne nuk jemi tërhequr asnjëherë. Kauza që ne kemi ngritur është më e vështirë për tu zgjidhur dhe sa më thellë shkojmë kuptojmë përse regjimi i matrapazllëkut të Saliut nuk cedon për të qëndruar në pushtet. Ne do vazhdojmë ta kërkojmë me këmbëngulje transparencën për tu dhënë shqiptarëve mundësinë të marrin frymë lirisht dhe për tu treguar se qeveria varet nga vota e tyre dhe jo e kundërta. Ne do ta zhvillojmë këtë betejë në Kukës, në Tiranë, në Elbasan, në Durrës, etj dhe ne do ta fitojmë këtë betejë sepse është një liri që duhet ta fitojmë dhe që nuk e ka në dorë Saliu, ka pohuar Rama.

Sipas tij, Partia Socialiste ka qenë e gatshme të diskutojë për çështjet zgjedhore me mazhorancën, por ka qenë kreu i kësaj të fundit që sipas tij ka refuzuar të bëjë lëshime, për shkak se do të ruajë pushtetin e tij.

Në një proces si ky duhen dy palë. Saliu e ka të pamundur të lëshojë në këto çështje, sado të thjeshta të jenë, pasi aty ka të lidhur fatin e pushtetit të tij. Saliu nuk është zgjedhur nga vota, por nga imponimi. Të mos përsëritet më një proces zgjedhor ku populli zgjedh dikë dhe vjen dikush tjetër duke mbushur kutitë, ka deklaruar Rama.

Lideri i opozitës ka bërë të ditur se në ditët e ardhshme PS do të nxjerrë prova që do dëshmojnë të vërtetën e hidhur të kutive të 28 qershorit të vitit 2009.

Jemi vënë në zotërim të tyre tani, pasi kryetari i KQZ, në shkelje flagrante të ligjit, ka zhvilluar një proces ilegal duke i hapur dhe fotokopjuar materialet zgjedhore për llogari të fushatës së ardhshme. Ata e dinë se për cfarë i duan, por nga ana tjetër në këto materiale ndodhen plot të vërteta shumë të hidhura që do dëshmojnë përse materialet duhen hapur, ka theksuar Rama, i cili ka paralajmëruar mbajtjen e një mitingu madhor kundër koalicionit të turpit.

Rama ka komentuar edhe çështjen e aleancës me PBDNJ. Ai pranoi se ka pasur probleme me kandidaturën e Bollanos.

Vangjel Dule është një aleat i mirë, një mik i mirë dhe një qytetar i mirë. Me Vangjel Dulen kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer.

Ai nuk është pjesë e koalicionit, por me të do bëjmë një marrëveshje të veçantë, që do jetë marrëveshje bashkëpunimi aleatësh të ndershëm.

Bashkohemi në shumëçka, por jo në gjithçka, tha Rama.

Konsiderojmë se kryetari i bashkisë së Himarës nuk i përgjigjet denjësisht nevojave të atij komunitetit, as domosdoshmërisë për të pasur bashkëjetesë demokratike mes shqiptarëve dhe anëtarëve të minoritetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›