E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një amnisti për Berishën?!

Nga Mero Baze

Nëse do ta merrja seriozisht kryeministrin e vendit tim, sot duhet ta padisja atë për blerje votash me 400 milionë dollarë, të cilat i ofroi si amnisti për qytetarët që nuk kanë paguar energjinë elektrike në fillim të fushatës elektorale. Përveç kësaj do të thërrisja ekspertë të llogarisnin spekulimet me amnistinë fiskale apo shitje- blerjet e banesave në plazh për qytetarët e Durrësit. Mbledhja e djeshme e qeverisë, e dëgjuar nga goja e kryeministrit, ngjante si një ceremoni bamirësie, ku zgjidhej çdo hall i pazgjidhur deri më sot për çdo qytetar shqiptar. Por të mjaftojnë vetëm disa minuta kohë të verifikosh ato që premton kryeministri për ti vënë kryqin gjithçkaje.

Së pari falja e borxhit për energjinë elektrike të 270 mijë familjeve në nevojë është një gënjeshtër. Qeveria shqiptare ja ka shitur borxhin e prapambetur kompanisë CEZ kur e ka shitur, dhe këtë e ka të përfshirë në kontratën e shitjes. Pikërisht për këtë shkak qeveria ka toleruar çmimin e rritur të energjisë elektrike dhe ka garantuar kredinë sovrane të dhënë për CEZ. Aq e vërtetë është që ky borxh i është shitur CEZ, sa po ti referohemi dhe intervistës së fundit publike të Dritan Priftit, ish- Ministri i Ekonomisë Ilir Meta ka bërë sipas tij një udhëtim sekret në Pragë në ditët e përmbytjes së Shkodrës për të marrë përsipër mbledhjen privatisht të këtij borxhi, ku ai do të fitonte përmes sekserit të tij një shumë të majme. Këtë nuk po e përmend si akuzë, por si detaj që ky borxh që Berisha po ua fal qytetarëve, i është shitur CEZ. Berisha nuk është më pronar i këtij borxhi dhe nuk mund të falë një borxh që nuk ekziston për qeverinë e tij. Dyshimet rriten nëse Berisha për shkak të pazareve private me kompaninë CEZ, i ka marrë përsipër kësaj të fundit tia japë këto pare nga buxheti i shtetit dhe kështu të quhen të amnistuar dhe qytetarët shqiptarë. Nëse ndodh kjo, atëherë jemi para një kostoje të madhe për buxhetin e shtetit, pasi një qeveri që po merr përditë borxhe me interesa super të larta, nuk mund të japë 400 milionë nga buxheti i saj për  pazare me një kompani. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse pjesa që shkon jozyrtarisht në xhepat e Sali Berishës është aq sa thoshte zoti Prifti për Ilir Metën.

Një tjetër detaj spekulativ është dhe shifra 270 mijë familje në nevojë. Sipas një raporti të Komisionit parlamentar për Çështjet Sociale në vjeshtën e vitit që shkoi Shqipëria ka 98 mijë familje në nevojë dhe jo 270 mijë familje në nevojë. Berishës kur i duhet të bëjë propagandë i zvogëlon familjet në nevojë, kurse kur do tu faturojë atyre abuzimet e veta, i trefishon si në këtë rast. E vërteta është se 270 mijë familje përbëjnë afërsisht një të tretën e familjeve të Shqipërisë dhe askush nuk beson se një e treta e popullsisë në Shqipëri nuk paguan dritat. Dritat në Shqipëri nuk i paguajnë disa zona rurale që votojnë Partinë Demokratike dhe që në çdo zgjedhje u bëhet si premtim elektoral mos pagimi i dritave. Për këtë arsye dhe efekti elektoral i kësaj gënjeshtre është zero, pasi Berisha po tenton të ri-gënjejë njerëzit e vet dhe po irriton shumicën e shqiptarëve që paguajnë vetë energjinë elektrike.

Po kaq spekulativ mbetet dhe fjalimi i Berishës për amnistinë fiskalë edhe nevojën e votës së opozitës për të. Nëse Berisha do të bëjë amnisti fiskale, ai mund ta bëjë atë siç e ka bërë dhe më parë ai dhe paraardhësit e tij. Amnistia fiskale, apo faljet e detyrimeve, është një akt ligjor që kërkon shumicë të thjeshtë në Kuvend. Ligji më i rëndësishëm fiskal në vend, ai i Buxhetit të Shtetit, miratohet me shumicë të thjeshtë dhe çdo vendim ligjor që ka efekt mbi të, kërkon po votim të thjeshtë. Në asnjë vend të botës dhe as në Shqipëri nuk është bërë ndonjë amnisti me tre të pestat e votave. Përpjekja për të shpikur nevojën e opozitës për ta votuar është thjesht alibi për të mos bërë asgjë, por për të shtyrë fushatën elektorale me një debat shterpë, i cili në fund nuk do të amnistojë asgjë. Nga mënyra se Berisha shpjegonte detajet e amnistisë, më shumë dukej si një njeri që i kujtoheshin detaje nga ankesa të njerëzve se sa një zyrtar që kishte përpara një draft për amnistinë. Ai thjesht është duke u tallur dhe duke mos bërë asgjë si gjithmonë. Për këtë arsye, nuk kemi të konsumuar ndonjë vepër të parablerjes së votave me paret e taksapaguesve, por thjesht një përpjekje për të prodhuar ëndrra për pare të falura, nga dikush të cilit qytetarët nuk i kanë ndonjë borxh. Pra jemi thjesht tek mashtrimi elektoral. Berisha po premton amnisti fiskale dhe financiare me shpresë që të amnistohet nga elektorati. Ai nuk po fal asgjë, ndaj dhe nuk duhet falur.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›