Edmond Kapllani, në 11-shen e javës në Bundesligën 2
Është 31 vjeç, por kjo nuk e ka penguar sulmuesin e FSV Frankfurtit të shënoj tre gola në fitoren kundër Dinamo Dresdenit fundjavën që lëmë pas. Duket se “çelësi” i këtij shpërthimi ka qenë ftesa e trajnerit të kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, i cili e aktivizoi durrsakun në 11-shen e parë në miqësoren kundër Armenisë. Edmond Kapllani është njeriu i javës në Bundesligën 2, i zgjedhur në 11-shen më të mirë të këtij kampionati. Në momentin që të dielën ka dalë nga fusha, shqiptari është duartrokitur nga gjithë stadiumi i Dresdenit. Tifozët kundërshtarë e kanë vlerësuar sulmuesin për tre golat dhe performancën në fushën e lojës. ”Të them të vërtetën kam qenë shumë i habitur nga tifozëria mike”, - ka thënë Kapllani, që ka shënuar tripletën e parë. (e.i/balkanweb)