Eduard Selami: Shtëpia e ndarë nuk qëndron
Ish kryetari i PD-së, Eduard Selami, prej vitesh larg Shqipërisë, duke folur për situatën e fundit politike të krijuar në vend, vlerëson se demokracia është një shtëpi e përbashkët ku ka vend për pozitën dhe opozitën.
Gjatë një interviste për VOA, Selami ka deklaruar se "shteti ligjor ka nevojë për zbatimin e ligjve. Kur acarohet jeta politike minimizohen arritjet e demokracisë. Në demokraci ka vend për pozitën dhe opozitën. Sipas tij, një shtëpi e ndarë nuk mund të qëndrojë.
Më poshtë intervista e Selamit dhënë për VOA
Ajo që filloi dikur si një lëvizje studentore u shndërrua në një lëvizje popullore. Si i përkujtoni ato momente?
Padyshim që janë momentet më emocionuese të jetës sime profesionale por edhe momentet më progresive të historisë 100 vjeçare të Shqipërisë, jo vetëm se ishte fillimi i fundit të diktaturës komuniste, por si të thuash një rikthim te vlerat pro perëndimore, që kishin në mendje, mendjet e ndritura të rilindësve tanë kur projektuan shtetin e ri shqiptar në fund të shekullit të 19-të. Në këtë aspekt mendoj se kjo ngjarje do të mbahet mend si një nga ngjarjet më progresive në historinë e Shqipërisë.
Tani pas 20 vitesh, idealet e demokracisë së 19 viteve më parë, si janë zbatuar në praktikë në Shqipëri?
Duhet thënë në total pavarësisht nga acarimet, nga një skeptizicëm, Shqipëria përgjithësisht ka ecur në rrugë të drejtë me përjashtim të disa aksidenteve që mund të ishin evituar, Kuptohet që akoma është një rrugë që nuk është përfunduar por drejtimi është i duhur dhe mendoj se shumë shpejt Shqipëria do t'i bashkohet familjes europiane.
Shqipëria duke qenë anëtare e NATO-s pritet të jetë anëtare me të gjitha vlerat e kësaj organizate, edhe brenda vendit. Më duket se në Shqipëri është keqkuptuar demokracia në aspektin që shikohet si një liri e pakufi dhe në anën tjetër harrohet që edhe ajo funksionon sipas një sistemi rregullator. Desha ta lidh me gjendjen aktuale të krizës politike, ose acarimit të situatës mes dy partive kryesore. Si e shikoni këtë acarim?
Është një shqetësim i drejtë. Me të drejtë thuhet që demokracia nuk është forma me e lehtë, por më e mirë e qeverisjes dhe kërkon më shumë impenjim dhe më shumë strukturim të saj. Shteti ligjor padyshim që ka nevojë për zbatimin e ligjeve. Kur acarohet politika në Shqipëri kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë minimizon dhe arritjet e demokracisë në vend. Është për t'u theksuar se në demokraci ka vend për pozitën dhe opozitën, është si një shtëpi e përbashkët, që ashtu si ka thënë edhe një nga presidentët më të famshëm në Amerikë, Lincoln nuk mund të qëndrojë, nëse nuk mbahet nga të dyja anët. Një shtëpi e ndarë nuk mund të qëndrojë. Klasa politike shqiptare duhet të mbajë parasysh këtë gjë. Ka nevojë për të dyja palët dhe ka nevojë për një bashkëpunim të vazhdueshëm.
Si mund të dilet nga kjo gjendje kaq e acaruar kur shpesh herë janë harruar edhe normat e etikës?
E drejtë. Mungesa e normave të etikës, jo vetëm lë një shije të keqe, por është një mungesë respekti për institucionet dhe një mungesë fokusimi për problemet reale që kanë njerëzit. Ata janë atje, rrugën konkrete do ta gjejnë, por universale është një gjë që pa dialog, pa një bashkëpunim, pa një respekt reciprok ndaj forcave politike nuk mund të ketë përparim të qëndrueshëm, i cili u takon gjithë shqiptarëve.
Zoti Selami, ju keni qenë protagonist i ngjarjeve në Shqipëri, e tani vrojtues i kujdesshëm i ngjarjeve, ndonëse nga larg. A shikoni optimizëm në të ardhmen e afërt në ecurinë e Shqipërisë drejt organizmave evropiane?
Optimizmi im është i vazhdueshëm. Pavarësisht situatës konkrete, dhe më vjen keq që unë jam këtu kur ka më tepër kriza, unë jam optimist dhe në të ardhmen e afërt dhe të largët të Shqipërisë. Unë mendoj se klasa politike shqiptare e ka pjekurinë e duhur dhe në momente që duken si më të errëta dhe më konfrontuese mendoj se do gjendet gjuha e përbashkët sepse ky është interesi i përbashkët i gjithë shqiptareve.
Cilat shikoni ju si sfida më të vështira në demokratizimin e institucioneve në Shqipëri?
Atë çka dhe komuniteti ndërkombëtar ka theksuar dhe analistët e huaj; që po merr kohë që vendi të kthehet një demokraci funskionale dhe shteti të ligjor të operojë në mënyrë të vazhdueshme. Pa diskutim që ndarja e pushteteve dhe pavarësia e gjyqësorit është një nga problemet më të mprehta dhe më thelbësore të demokratizimit të vendit dhe në këtë aspekt, këtu duhet treguar kujdes më i madh. Shqetësimi që ju ngritët, humbja e energjive për aspektin personal pikërisht këtë dëmton, se hiqet fokusi nga problemet qenësore që lidhen në mënyrë direkte me ecurinë dhe bashkimin e Shqipërisë në institucionet ndërkombëtare. Sepse duhet parë si një zhvillim i brendshëm. Bashkimi i Shqipërisë me europën do të vijë në mënyrë të natyrshme kur demokracia shqiptare të arrijë pjekurinë e saj. Në këtë aspekt, ndarja e pushteteve dhe forcimi i pavarësisë së gjyqësorit është një nga problemet e mprehta ku ka mbetur demokracia.