Konfindustria: Ligji "antimafia" rrezikon pasuritë e emigrantëve
Bizneset ndjehen të kërcënuara nga mënyra se si do të aplikohet ligji anti-mafia . Ilir Hebovija: Më shumë se "antimafia" kemi të bëjmë me një ligj "anti-para"
TIRANË- Grupet e biznesit shprehen të alarmuara në lidhje me efektet reale që do të sjellë zbatimi i ligjit "anti-mafia". Miratimi i tij në Kuvend, konsiderohet si një masë drastike dhe e panevojshme për kushtet e shqipërisë duke krijuar një klimë presioni mbi biznesin por edhe tek individët.
Më shumë se pasojat negative në ecurinë e bizneseve, aplikimi i një ligji të tillë sipas kreut të Konfindutrias, Gjergj Buxhuku, rrezikon të ardhurat e mijëra emigrantëve shqiptarë të cilët në shumicën e rasteve pa dëshirën e tyre punojnë në rrugë informale duke mos mundur të deklarojnë të ardhurat.
"Me termin 'nivel i pajustifikuar ekonomik' në ligj mund të shkohet deri aty sa të vihet në dyshim pasuria e një numri prej më shumë se 1.5 milionë qytetarësh shqiptarë, që kane jetuar emigracion prej pothuaj 20 vitesh dhe që në shumë raste kanë punuar dhe mund të punojnë per arsye te padeshirueshme në "të zezë". Vetëm në Greqi - vijon Buxhuku - sot ka më shumë se 320 mije punëtorë shqiptare të paligjëruar.
"Bazuar në ligin anti-mafia, arrijmë në përfundimin se të ardhurat e siguruara në kushtet e mësipërme të punës do të klasifikoheshin të paarsyetuara, ndërsa më tej mund të emërtohen edhe si të siguruara në mënyrë kriminale dhe si rrjedhim duhet të konfiskohen nga shteti, - shprehet ai duke i kërkuar publikisht presidentit të Republikës, Bamir Topi, që të mos e dekretojë këtë ligj të miratuar së fundmi edhe nga parlamenti në mënyrë që t'i jepet koha e nevojshme grupeve të interesit për përmirësimet e domosdoshme të tij.
Ligji "antimafia" është cilësuar i tepruar dhe i panevojshëm për situatën që ndodhet biznesi në vend edhe nga zëvendës drejtori i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Ilir Hebovija. Sipas tij, më shumë se "antimafia" ky mund të quhet ligj "anti-para".
I pyetur për këtë problematikë, ai shpjegoi se ushtrimi i aktivitetit të një kompanie ndërtimi apo biznesi çfarëdo, mund të ketë filluar që nga vitet e para të demokracisë, por mungesa e infrastrukturës shtetërore në atë kohë e ka bërë të pamundur deklarimin e të gjitha të ardhurave.
"Shumë biznese kanë filluar aktivitetin e tyre që në vitet e para të demokracisë, por për shkak se shteti nuk ka mundur t'i përgjigjet ecurisë së shpejtë të zhvillimit të tyre, ato nuk kanë mundur të deklarojnë të ardhurat", - tha Hebovija duke shtuar se miratimi i një ligji të tillë tregon një mendësi të pushtetit jo në përputhje me ecurinë e biznesit në vend.
Ndërsa sipas Buxhukut, zbatimi i këtij ligji në gjendjen e tashme institucionale dhe ekonomike të vendit , rrezikon të ketë pasoja të rënda si, në uljen e dërgesave të emigrantëve, largimin e kapitaleve nga vendi dhe sistemi bankar, por edhe në ngadalësimin e nismave investuese aq shumë të nevojshme për zhvillimin ekonomik afatgjatë.
Duke e cilësuar masë drastike miratimin e një ligji të tillë, Hebovija ceku edhe etiketimin që i bëhet një pasurie që pronari i saj nuk e ka deklaruar burimin. "Mund të ndodhë që për arsye të ndryshme një biznes të mos e ketë deklaruar për shembull një makinë të blerë, kjo nuk do të thotë automatikisht që kemi të bëjmë me një pasuri që është vënë në mënyrë mafioze, siç etiketohet në ligj", - tha ai.
Në qëndrimin e saj, Konfindustria është ndalur edhe tek domosdoshmëria e bashkëpunimit politik midis pozitës dhe opozitës në rastin e miratimit të këtij ligji. "Sipas disa vleresimeve kushtetuese miratimi i një ligji të tillë, që prek drejtpërdrejt Kodin e Procedurës Penale, duhet të kryhet me shumicë të cilësuar votash në Kuvend", - tha Buxhuku.
Ligji i cilësuar "anti-mafia" u miratua një javë më parë me 74 vota pro, pa praninë e opozitës në Kuvend ku mungoi edhe debati mbi pasojat që do të sillte ai.
Ligji
Qëllimi i ligjit "Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar" është sekuestrimi i pasurive ndaj të gjithë atyre personave, që jetojnë në kushte të pajustifikuara jetese.
Pra, me miratimin e tij qeveria synon që të godasë krimin e organizuar përmes konfiskimit të pasurive të personave të cilët nuk deklarojnë burimin e të ardhurave të tyre apo aktiviteti që ata kryejnë nuk justifikon jetën që ata bëjnë.
Megjithatë, dispozitat e këtij ligji zbatohen për pasuritë e personave, mbi të cilët ekziston një dyshim i arsyeshëm, bazuar vetëm në indicie dhe jo provë, një dispozitë kjo që është kundërshtuar fort nga komuniteti i avokatëve, të cilët e kanë konsideruar atë si një mundësi për abuzim dhe goditje të diferencuar.
Kështu ligji parashikon konfiskim të pasurisë bazuar në indicie për: a) pjesëmarrje në organizata kriminale ose në grupe te strukturuara kriminale, b) pjesëmarrje në organizata terroriste ose në banda të armatosura, c) kryerjen e veprave të tjera për qëllime terroriste, si dhe kryerjen e krimeve për qëllime të fitimit të pasurive të paligjshme, të gjitha sa më sipër të parashikuara në nene të mirëpërcaktuara nga Kodi Penal.
Përpos faktit se prokuroria mund të kërkojë sekuestrimin e pasurisë bazuar vetëm në indicie, ndryshimet e miratuara nga Kuvendi nuk kanë përgjigje përsa i përket dëmshpërblimit të personave të cilëve pavarësisht se u sekuestrua pasuria kanë dalë të pafajshëm, pra në rastet kur ndaj tyre rrëzohen dyshimet.