Edukim zgjedhor për votuesit e rinj, informim mbi programet e kandidatëve politikë

Të rinjtë, të cilët kanë fituar të drejtën për të votuar për herë të parë në zgjedhjet e 11 majit, janë informuar dhe ndërgjegjësuar për rëndësinë e ushtrimit të kësaj të drejte.
Analizimi i programeve të kandidatëve politikë, bashkëbisedimi me ta, si dhe mënyra si do të votojnë janë sqaruar hap pas hapi nëpërmjet takimeve informuese me studentë e gjimnazistë.
“Ne kemi marrë një informacion shumë të gjerë dhe na është nxitur të menduarit kritik për analizimin e programit të secilës parti. Takimi i sotëm me eksponentët na e ka bërë akoma më të prekshëm gjithë informacionin, në mënyrë që të zhvillojmë pyetjet tona dhe për të mos pasur absolutisht asnjë paqartësi më 11 maj, ndaj ndihem më e sigurt për të votuar,” shprehet studentja Dea Kodra.
“Mendoj se tani kam një pikëpamje më të qartë për kandidatin të cilin do të votoj,” tregon gjimnazisti Kliti Teta.
Armelia Barci, drejtoresha e “People in Focus Albania”, e cila është marrë me zbatimin e këtij projekti, sqaron se ashtu si në Shqipëri, programi është aplikuar edhe në Francë, Itali dhe Spanjë.
“Përgjatë këtij viti kemi pasur eksperienca dhe marrëdhënie me shumë të rinj. Kemi parë një interes të shtuar të të rinjve për të parë situatën politike në vend dhe për të marrë vendimet e duhura. Në bazë të studimeve të ndryshme është vënë re që të rinjtë duan të angazhohen, por angazhimi i tyre vjen me metoda të reja,” thotë znj. Barci.
Edukimi i votuesve të rinj synon të nxisë edukimin qytetar, si dhe përgatitjen e të rinjve për pjesëmarrje aktive në zgjedhjet e 11 majit.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh.al/