E Shtunë, 31 Tetor 2026

Egjipt-SHBA marredheniet ne pike kritike

Kryeministri i Egjiptit, Kamal Ganzouri, theksoi vendosmërinë e tij për të vazhduan hetimin e organizatave joqeveritare në vend, pavarësisht kërcënimeve amerikane për tërheqjen e ndihmës ekonomike.

43 aktivistë pro-demokratikë, midis tyre edhe 19 amerikanë, rrezikojnë burgosjen, si pasojë e hapjes së organizatave të tyre pa një liçensë dhe me financime të konsideruar si ilegale prej Kajros zyrtare.

Ganzouri shtoi se do të hetohet gjithashtu roli që kanë patur organizata të ndryshme në protestat e dhunshme që përfshinë Egjiptin gjatë 2011-s, duke shkaktuar mbi 800 viktima.

Megjithatë, një grup senatorësh amerikanë paralajmëruan për rrezikun e një “thyerje të pandreqshme” të marrëdhënieve midis dy vendeve, pikërisht në momentin kur ato janë më të ngrohta se kurrë.

John McCain, Kelly Ayotte dhe Joe Lieberman konsideruan se kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara brenda qeverisë egjiptiane janë duke i hedhur “benzinë zjarrit”, për të përshkallëzuar tensionet dhe për të vendosur opinionin publik kundër amerkanëve.

Nga ana e saj, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, paralajmëroi se çdo procedim i organizatave apo shtetasve amerikanë në Egjipt, do të bënte Uashingtonin të rishikonte ndihmën ekonomike prej 1,3 miliardë dollarësh që vendi i madh afrikan merr për armatime dhe prej 250 milionë dollarësh për ekonominë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›