Egjipt, opozita liberale refuzon dekretin
Plani i Mansour parashikon gjithashtu ndryshime në Kushtetutën e hartuar nga islamikët.
Egjipti është përfshirë nga trazira vdekjeprurëse, që kur presidenti i parë i zgjedhur në rrugë demokratike, Morsi, u rrëzua nga pushteti nga një grusht shteti i ushtrisë javën e kaluar, teksa protestues pro dhe kundër tij kanë zbritur masivisht nëpër rrugë.
Të hënën, të paktën 51 persona – pjesa më e madhe e të cilëve mbështetës pro-Morsit nga lëvizja e tij Vllazëria Muslimane – u vranë jashtë kazermave, ku mendohet se mbahet i arrestuar Morsi.
Fronti Kombëtar i Shpëtimit njofton refuzimin e dekretit kushtetues, thuhej në deklaratën e opozitës liberale. Më tej, NSF tha se nuk ishte konsultuar në lidhje me dokumentin, mëse jetësor për tranzicionin politik të Egjiptit, duke kërkuar ndryshime të tjera të këtij propozimi.
Koalicioni, i cili udhëhiqej nga Mohamed El Baradei, deri kur ky i fundit u emërua zëvendës president i Egjiptit, nuk ka komentuar më tej.
Vllazëria Muslimane, e cila ka ushtruar presion për rikthimin e menjëhershëm të Morsit, e refuzoi më herët dekretin, duke e cilësuar atë si një dekret kushtetues të një njeriu të emëruar nga puçistët.