Egjipt, protestuesit sfidojnë qeverinë
Mijëra mbështetës të presidentit të rrëzuar egjiptian, Mohammed Morsi, kanë sfiduar paralajmërimin e ri të qeverisë me mbështetje ushtarake dhe kanë vazhduar grumbullimet e tyre në Kajro.
Liderët e përkohshëm të vendit kanë urdhëruar policinë që ti japë fund protestave në dy sheshe të kryeqytetit. Por Vllazëria Myslimane, tek e cila Morsi bën pjesë, deklaron se nuk ka alternativë tjetër veçse të vazhdojë tubimet.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Egjiptit që të respektojë lirinë e manifestimit. Protestuesit pro-Morsit duan që lideri islamik të rikthehet në krye të shtetit, pasi u rrëzua nga ushtria më 3 korrik, vetëm pas një viti në detyrë.
Ata kishin sfiduar edhe kërcënimet e mëparshme të ushtrisë, pavarësisht përleshjeve me forcat e sigurisë që lanë rreth 100 të vdekur.
Ministri i Brendshëm egjiptian deklaron se hapa gradualë do të ndërmerren për të shpërndarë turmat dhe se policia është ngarkuar me detyrën që tu japë fund demonstratave brenda ligjit dhe kushtetutës.
Por Essam el Erian, nënkryetar i Partisë për Drejtësi dhe Liri, fraksioni politik i Vllazërisë Myslimane, deklaroi se protestuesit nuk do të tremben nga këto kërcënime.