E Shtunë, 31 Tetor 2026

Egjipt ushtria e perfshire ne vrasjet e 2011-s

Ushtria egjiptiane ka përgjegjësi direkte në torturat dhe qindra vrasjet e ndodhura gjatë revoltave të vitit 2011, raportoi të enjten e përditshmja britanike “The Guardian”, duke iu referuar dokumentave të zbuluara të shërbimeve sekrete.

Raporti i është paraqitur presidentit Mohammed Morsi më parë gjatë vitit dhe ka rënë në duart e gazetës në mënyrë të panjohur. Revolucioni i vitit 2011 i dha fund regjimit 32-vjeçar të Hosni Mubarak, i dënuar më pas me burgim të përjetshëm për abuzimet me pushtetin dhe 860 vrasjet e ndodhura zyrtarisht në protesta gjatë atij revolucioni. Gjatë konfliktit, ushtria egjiptiane zyrtarisht deklaroi neutralitetin e saj, ndërsa për gjakderdhjen u fajësua gjerësisht vetëm policia. Megjithatë, sipas dokumentit, me urdhëra të qarta nga lart, ushtria vendosi të përfshihej, duke shkelur në mënyrë flagrante kushtetutën, që e pengon atë të marrë pjesë në një konflikt të brendshëm, sidomos në rastet e manifestimeve paqësore. Dokumenti vërteton se ushtria ka pasur rol në pengmarrjet, torturat dhe ekzekutimin e shumë egjiptianëve të thjeshtë, kundërshtarë të Mubarak. Pavarësisht publikimit të këtij dokumenti, roli i plotë i ushtrisë gjatë atij revolucioni të përgjakshëm, pjesë e ciklit të revolucioneve të “Pranverës Arabe”, mbetet gjerësisht i panjohur.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›