Egjiptianët shqetësohen për arkivin e nobelistit të tyre

Lajmërimi i shtëpisë së ankandeve Sotheby's se ka planifikuar ‘vënien në ankand të ‘arkivit të rëndësishëm’ të veprave të laureatit të çmimit Nobel për letërsi Naguib Mahfouz ka nxitur debate të nxehta në vendlindjen e shkrimtarit, Egjipt.
Në kremtimin e njëqindvjetorit të autorit, shkrimtarë dhe botues pyetën se kush ishte shitësi? Dhe si e siguruan këtë koleksion, i cili përmban fotografi familjare, dorëshkrime të hershme, vepra të mëvonshme dhe 100 faqe të një romani të pabotuar? Menjëherë u bë e qartë se familja e Mahfouz-it – gruaja dhe dy vajzat e tij – nuk dinin gjë rreth kësaj shitjeje.
Madje as Sotheby's nuk qenë në gjendje të japin ndonjë informatë. Zëdhënësja Leyla Daybelge u përgjigj se ‘arkivi i Mahfouz-it është duke shitur nga një burim privat në Amerikën Veriore dhe koha që përputhet me njëqindvjetorin e shkrimtarit është e rastësishme’.
Shtëpia e ankandeve nuk ofroi ndonjë dëshmi të prejardhjes së materialeve. “Ne e marrim prejardhjen shumë seriozisht si dhe e hulumtojmë këtë arkiv para se ta ofrojmë. Ishte blerë ligjërisht nga pronarët e afërt me shkrimtarin”.
Kjo përgjigje, megjithatë, nuk i kënaqi shkrimtarët, botuesit dhe librashitësit egjiptian, të cilët shprehën druajtje ndaj shitjes. Botuesja dhe shkrimtarja Rehab Bassam u përgjigj në Twitter: "Pra si është e mundur që familja e tij nuk di gjë?” Studiuesi i njohur i veprës së Mahfouz Rasheed al-Enany ishte energjik në mbrojtje të kthimit të arkivit prapa në Egjipt. “Jam i shqetësuar të shoh këtë thesar kombëtar duke dalë jashtë vendbanimit të tij natyral, burimi i frymëzimit: Egjipti”, tha ai. “Mendoj se Mahfouz njëherë ishte përshkruar si piramida e katërt e Egjiptit. Për ta zgjeruar metaforën, unë po them se dikush e ka kontrabanduar njërën prej piramidave të Egjiptit jashtë vendit dhe po e vë në shitje”.
Bassam tha se ka folur me vajzën e Mahfouz-it dhe se familja u ka thënë se ‘secili është duke intervenuar’ për ta ndaluar shitjen, përfshirë ‘Amr Moussa, ambasadori egjiptian në Londër, ministri i kulturës, ish ministri i kulturës dhe një listë me emra të tjerë’.
Familjarët besonin se Sotheby’s nuk kishin të drejtë t’i shesin materialet ‘për shkak se nuk i kanë kërkuar ato nga familja, e cila i ka të drejtat për të shitur gjëra të tilla’. Gazetari Mohammad Shoair tregoi në gazetën Al Akhbar në Beirut se disa materiale arkivore janë marrë ilegalisht në të kaluarën nga shtëpia e familjes së Mahfouz-it.
Përkthyesi dhe biografi i Mahfouz-it Raymond Stock nuk ishte në dijeni të prejardhjes së gjerave, por tha se ai dhe një mik më parë kanë punuar me një tregtar të librit nga New York-u për të marrë gjëra për të cilat besonin se ishte arkivi universitar i veprave të Mahfouz-it.
Por shkrimtarë tjerë ishin më pak të shqetësuar me prejardhjen sesa me nevojën për t’i parë materialet të kthehen në Egjipt. Romancieri i njohur egjiptian Mansoura Ezz Eldin shfaqi shpresën se arkivat mund të blihen nga Ministria e Kulturës e Egjiptit.