E Diel, 1 Nëntor 2026

Egnatia debuton me barazim në Conference League, Gruda shënon në 1-1 ndaj Midtjylland

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Egnatia e ka nisur sot me barazim aventurën historike në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, duke ndarë pikët 1-1 me skuadrën daneze të Midtjylland, në stadiumin “Elbasan Arena”.

Skuadra rrogozhinase kaloi e para në avantazh me anë të Grudës, në minutën e 26-të, por miqtë barazuan gjashtë minuta më vonë me Çon, duke vulosur rezultatin e pjesës së parë.

Takimi ishte parashikuar të zhvillohej në Tiranë, por për shkak të situatës së krijuar në vend dhe protestave, u zhvendos në Elbasan.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë, me të dyja skuadrat që krijuan mundësi për shënim. Portieri i Egnatias, Dajsinani, ndërhyri në minutat e para për të ndalur një gjuajtje të rrezikshme të Rajoviçit, ndërsa vendasit u përgjigjën me tentativa nga Kryeziu dhe Adjesa.

Goli i avantazhit për Egnatian erdhi në minutën e 26-të, kur një harkim nga krahu i djathtë gjeti Grudën në shtyllën e dytë. Sulmuesi goditi saktë me kokë, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke kaluar rrogozhinasit në avantazh.

Reagimi i danezëve ishte i shpejtë. Në minutën e 32-të, Çon përfitoi nga një harkim në zonë dhe me një goditje me kokë mposhti Dajsinanin, duke barazuar shifrat në 1-1. Midtjylland shënoi sërish në minutën e 39-të me të njëjtin autor, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Në pjesën e dytë, skuadra daneze u shfaq më kërkuese, duke provuar të gjente golin e fitores. Egnatia iu përgjigj me disa aksione të rrezikshme, ndërsa në minutën e 63-të Haime pati një mundësi të mirë për të rikthyer vendasit në avantazh, por nuk arriti ta drejtonte saktë topin me kokë.

Në minutën e 69-të, Bitri ndërhyri në kohën e duhur për të ndalur një tjetër rrezik të miqve. Më pas, Midtjylland arriti ta dërgonte topin në rrjetë me Uhren, pas një goditjeje këndi, por goli u anulua për faull ndaj portierit Dajsinani.

Danezët iu afruan sërish golit në minutën e 84-t, kur Iheanaço goditi shtyllën, por aksioni u konsiderua i pavlefshëm për pozicion jashtë loje.

Në minutat e fundit, Egnatia u përpoq të shfrytëzonte mundësitë për të marrë fitoren, por mbrojtja e Midtjylland arriti të ndalte sulmet e vendasve.

Në përfundim, sfida u mbyll në barazim 1-1, me Egnatian që merr pikën e parë në debutimin historik në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

Egnatia – Midtjylland 1-1

Shënues: Gruda 26’, Çon 32’.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›