Dhuka: BE është destinacioni ynë, të ndërtojmë urat e dialogut drejt familjes europiane

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Kryenegociatorja e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, Majlinda Dhuka ka bërë thirrje sot për dialog, përgjegjshmëri dhe respektimin e vlerave europiane, duke theksuar se integrimi në BE mbetet aspiratë e përbashkët e shqiptarëve.
Në një mesazh, Dhuka u shpreh se protesta dhe zëri i qytetarëve duhet të shërbejnë si nxitje për reflektim mbi Shqipërinë europiane që vendi synon të ndërtojë, ku qytetarët dëgjohen, institucionet respektohen dhe shteti i së drejtës qëndron mbi çdo interes.
“Bashkimi Europian është destinacioni ynë – Familja Europiane është përkatësia jonë çdo ditë, edhe sot!”, u shpreh Dhuka.
Ajo theksoi se të qenit pjesë e familjes europiane nënkupton jo vetëm të drejtën për të shprehur mendimin dhe për të ngritur zërin, por edhe respektimin e ligjit dhe ruajtjen e dialogut mes qytetarëve, pavarësisht dallimeve.
“Të jesh europian do të thotë të kesh guximin të ngresh zërin, urtësinë të respektosh ligjin dhe forcën të mos e kthesh dallimin në largësi mes nesh”, u shpreh kryenegociatorja.
Dhuka nënvizoi se paqja dhe urtësia nuk nënkuptojnë heshtje apo indiferencë, por përbëjnë një mënyrë për të mbrojtur vlerat europiane, respektin njerëzor dhe vendin.
Kryenegociatorja nënvizoi se, Shqipëria i përket familjes europiane përmes aspiratës së qytetarëve dhe vlerave që zgjedh të përqafojë çdo ditë.
“Sot jemi më pranë se kurrë përmbushjes së aspiratës europiane mbi 30-vjeçare! Ky është një moment historik për të gjithë!”, theksoi Dhuka, duke bërë thirrje për bashkëpunim dhe dialog në rrugën drejt Bashkimit Europian.
“Së bashku, lutem, të ndërtojmë urat e dialogut dhe çdo hap drejt Familjes së Përkatësisë – Bashkimit Europian!”, përfundoi mesazhin kryenegociatorja.
/gj.m/r.e/