E Hënë, 2 Nëntor 2026

Egnatia dhe Dinamo City kalojnë në raundin e tretë të UEFA Conference League

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ U luajtën të enjten ndeshjet e kthimit të raundit të dytë të UEFA Conference League. Egnatia dhe Dinamo City siguruan kualifikimin në raundin e tretë të UEFA Conference League, pas paraqitjeve pozitive në ndeshjet e kthimit të turit të dytë, ndërsa ekipi i Vllaznisë u eliminua nga gara.

Egnatia fitoi sërish ndaj Dinamo Minsk, këtë herë në “Egnatia Arena”, me rezultatin minimal 1-0. Pas triumfit 2-0 në sfidën e parë në Hungari, djemtë e Edlir Tetovës vulosën kualifikimin me një gol të realizuar nga Kastriot Selmani.

Dinamo City barazoi 1-1 ndaj Atletic Club Escaldes duke kaluar në fazën tjetër falë fitores 2-1 në ndeshjen e parë në transfertë.

Egnatia dhe Dinamo City do të vijojnë tashmë rrugëtimin europian në raundin e tretë, duke kërkuar suksesin e radhës në arenën ndërkombëtare. Për të dyja skuadrat, kjo është hera e parë në historinë e tyre që arrijnë në këtë tur në kompeticionet ndërkombëtare.

Në turin e tretë Dinamo City do të ketë përballë kroatët e Hajdukut të Splitit, ndërsa ekipi kampion i Shqipërisë, Egnatia do të udhëtojë në Lubjanë (Slloveni) ku do të përballet me vendasit e Olimpija.

Ndeshjet e para do të luhen në datën 7 gusht dhe ndeshjet e kthimit më 14 gusht.

Ndërsa Vllaznia është eliminuar nga UEFA Conference League, pasi u mund pas kohëve shtesë me shifrat 4-2 nga Vikingur, në ndeshjen e kthimit të turit të dytë.

Shkodranët kishin fituar 2-1 ndeshjen në shtëpi dhe u munduan të luanin një sfidë të kujdesshme në transfertë. Por ata u goditën përsëri nga një goditje këndi që i dha shpejt avantazhin vendasve. Penalltia e Balajt bëri që sfida të barazohej që në pjesën e parë. Miqtë ushtruan trysni dhe gjetën edhe golin e dytë, por një penallti tjetër e Balajt la të mendohej se kuqeblutë mund të kalonin turin, pasi mbeteshin vetëm pak minuta deri në fundin e takimit.

Me rifillimin e lojës vendasit gjetën edhe një herë golin, duke bërë që takimi të shkonte në kohën shtesë.

Aty rezultoi fatale një tjetër goditje nga këndi, që solli golin e rezultatit 4-2 për Vikingur, i cili ishte edhe goli i kualifikimit. Tentativat e fundit të ekipit të Martinit nuk sollën gjë, sidomos pas daljes me karton të kuq të Tafilit.

Conference League, Dinamo City- Atletic Club Escaldes - Foto: Agim Dobi 1 nga 7

/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›