Gruaja e basketbollistit Danilo Gallinari sulmohet nga peshkaqeni

Momente tmerri përjetuan basketbollisti italian Danilo Gallinari dhe gruaja e tij, Eleonora Boi. Sipas raportimeve të mediave lokale, Boi u sulmua dhe u kafshua nga një peshkaqen dje pasdite në plazhin e Isla Verde, në veri të Porto Rikos.
Gruaja shtatzënë u trajtua menjëherë për këmbën e lënduar dhe më pas u transferua në Qendrën Mjekësore Rio Piedras. Gjendja e saj është e qëndrueshme dhe jo kërcënuese për jetën, siç konfirmohet nga autoritetet lokale.
Sipas raportimeve, Eleonora Boi ishte në ujë kur një peshkaqen e kafshoi papritur në kofshën e djathtë. Sulmi la një plagë të thellë, por për fat të mirë, shërbimet e urgjencës mbërritën shpejt, duke e çuar Boin në spital për trajtim. Mediat ende nuk kanë publikuar detaje të mëtejshme mbi llojin e peshkaqenit të përfshirë ose shkallën e saktë të plagës, por burime zyrtare thonë se situata është nën kontroll.
Episodi bëri xhiron e mediave ndërkombëtare, duke tërhequr vëmendje të konsiderueshme midis tifozëve të Danilo Gallinarit, i cili po luan në fazën eliminatore në Porto Riko. Dyshja, të cilët gëzojnë një numër të madh ndjekësish në rrjetet sociale, ende nuk kanë lëshuar një deklaratë zyrtare.