Egnatia fiton Kupën e Shqipërisë, mposht Kukësin 1-0

TIRANE, 14 maj/ATSH/ Klubi i futbollit Egnatia ka fituar për edicionin e dytë radhazi Kupën e Shqipërisë. Ndeshja e finales përfundoi me sukses për Egnatian ashtu si një vit më parë, me shifrat 1-0. Këtë radhë, skuadra kishte përballë Kukësin që synonte të mbyllte edicionin e rënies nga kategoria të paktën me një trofe.
Skuadra rrogozhinase, ashtu siç pritej, ishte më konkrete në lojën e saj, teksa u tregua e kujdesshme që të shfrytëzonte çdo hapësirë që i lejonin verilindorët. Goli i Ndrecës i dha qetësinë që të mendonte për të administruar minutat dhe forcat, teksa Kukësi shfaqi shumë vështirësi për t’iu afruar një barazimi të mundshëm.
Tafaj mbajti në lojë skuadrën e tij deri në fund duke pritur një penallti të Fernandos, por nga ana tjetër sulmuesit verilindorë nuk ia dolën që të konkretizonin rastet që krijuan në fund.
Kësisoj, Egnatia e mbylli ndeshjen me fitoren minimale 1-0 duke siguruar trofeun e Kupës për të dytin vit radhazi, ndërsa Kukësi nuk ia doli të mbyllte më një gëzim këtë edicion.
Futbollistët dhe pjesa tjetër e ekipit kanë krijuar atmosferë me entuziazmin e tyre ndërsa u ngjitën në podium për të ngritur trofeun.
Egnatia fiton Kupën e Shqipërisë, foto: Agim Dobi 1 nga 4