Egnatia me pikë të plota, mposht Skënderbeun

Java e tretë e “Abissnet Superiore” është hapur me sfidën mes Egnatias dhe Skënderbeut, me rrogozhinasit që kanë arritur një fitore 2-1 në një ndeshje që erdhi për shikuesit në ekranin e RTSH(RTSH1 dhe RTSH Sport).
Skënderbeu kishte mundësinë më të mirë për të kaluar në epërsi, në minutën e 11-të, me penalltinë e gjuajtur nga Bismark, por reagimi i portierit Dajsinani ishte fantastik, duke ia mohuar golin. E si të mos mjaftonte rasti i humbur, situata u bë më dramatike për skuadrën e Julian Ahmatajt që tri minuta më pas e pa veten në disavantazh, kur Albanese shënoi për Egnatian.
Megjithatë, ka gjithmonë një shans të dytë, dhe Skënderbeut iu dha 20 minuta më pas, sërish nga pika e penalltisë, pas një ndërprerje të gjatë të lojës për të shqyrtuar një faull në zonën e Egnatias. Këtë herë ekzekuton Nassr dhe nuk gabon, duke mposhtur Dajsinanin. Në minutën e 45-të, portieri i Skënderbeut, Alia, bën një pritje fantastike që nuk i lejon Ajetit të shënojë golin e dytë.
Pas pushimit, Egnatia duket me një marsh më tepër dhe rrezikon me Adjesa në minutën e 48-të, pa gjetur kuadratin. Katër minuta më pas, është Alijev që gjuan me kokë, edhe ai jashtë. Skënderbeu arrin të mblidhet dhe në minutën e 55-të Bismark mund të shënonte, por edhe një herë Dajsinani fiton duelin me të.
Një minutë më pas, Nassr gjuan nga jashtë zonës, pranë shtyllës. Aksionet drejt portave respektive vazhduan me shpejtësi, por pa raste të pastra, deri në minutën e 84-t, kur Loukili shënoi golin e fitores. Start perfekt për kampionët, tri ndeshje, tri fitore, ndërsa Skënderbeu paguan faktin që në tri javët e para ka luajtur vetëm jashtë me tri skuadrat më të forta të vendit.