E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ejëll Çoba, dëshmitë për tmerret në qelitë e diktaturës

Ejëll Çoba, avokat, gjyqtar, sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe ndihmësministër, nga viti 1935 deri më 1944

Mençuria e nënës pak orë para pushkatimit i ka falur jetën, por, fatkeqësisht, nuk mjaftonte për ta shpëtuar edhe nga burgu politik. Jo pak, por 25 vite pas hekurave, në mes torturash dhe punës së detyruar; 2 vite nëpër hetuesi dhe 23 të tjera në qeli. Jetë e humbun, por mos raftë me u harrue, do të shkruante për veten Ejëll Çoba, teksa pas lirimit përpiqej të hidhte në letër kujtimet copa-copa. Të gjitha bashkë tashmë janë një copë e madhe dhe e vetme. Një libër i plotë me dëshmi rrëqethëse nga diktatura për masakrat mbi të burgosurit, me emra martirësh dhe xhelatësh, që janë botuar pas vdekjes (1979) nën kujdesin e mbesës së tij, Jozefina Topalli Çoba, aktualisht kryetare e Kuvendit të Shqipërisë. Një ferr tokësor, 1946-1970 nga burgjet e Bedenit të Kavajës, Orman-Pojanit të Korçës, të Tiranës dhe Burrelit, për të cilin Ejëll Çoba kritikon me ironi Dante Aligerin që duhet ta kishte vizituar patjetër, para se ta përshkruante në librat e tij

Si djali i regjentit të Shqipërisë Gjon Çoba, dikur gjyqtar, avokat, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe ndihmësministër i Punëve të Brendshme, Ejëll Çoba paraqitet modest në kujtimet për veten, i matur kur flet për të tjerët dhe karizmatik për vuajtjen. Rrëfimi nis që nga 2 nëntori 1946. Atëherë, kur pas dy vitesh arrati, për shkak të akuzave nga qeveria komuniste për mbajtjen sekret të informacioneve shtetërore dhe lidhjeve të supozuara me Ballin Kombëtar, Legalitetin, Indipendentët, ai dorëzohet në polici. Shkak u bë një dekret-ligj i sapodalë, ku theksohej se do tu falej jeta dhe do të gjykoheshin me drejtësi personat e akuzuar të cilët do të vetëdorëzoheshin. Po çfarë kishte bërë Ejëll Çoba, që të ishte në listën e të shumëkërkuarve të qeverisë komuniste, pas çlirimit të vendit?
I lindur në vitin 1908 në Shkodër, ai u rrit në një familje prej 4 personash: nëna Pina, vëllai Mikel (avokat, ish-diplomat i MPJ-së, sekretar në Legatën shqiptare në Beograd deri më 7 prill 1939), vëllai Filip, nëpunës banke, dhe motra Nikolina. Kreu shkollën e jezuitëve deri në vitin 1917. Më pas ndoqi mësimet e mesme jezuite në Breshia të Italisë, në institutin Araçi. E përfundoi më 1928-n dhe, po këtë vit, filloi Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Romës, deri më 1932. Pavarësisht rezultateve shumë të mira, ai kthehet në Shqipëri në vitin 1935, për të pranuar punën si ndihmësgjyqtar në Berat dhe një vit më vonë, si gjyqtar pajtues në Vlorë. Një gradë më e lartë kjo, ashtu siç do të ishte emërimi i radhës në Korçë, ndihmësgjyqtar fillor i këtij qyteti deri në janar të vitit 1939. Kjo është periudha që Ejëll Çoba transferohet në Gjykatën e Tiranës, ku ushtroi detyrën e kryetarit, ndërsa ofertat për të qenë në institucionet qeveritare të asaj kohe i erdhën njëra pas tjetrës. Herë me detyrën si sekretar i Përgjithshëm dhe herë si nënministër, ai u bë pjesë e kabinetit të Mustafa Krujës, Maliq Bushatit, Rexhep Mitrovicës, etj., deri në formimin e qeverisë komuniste. Pikërisht këto emërime, si dhe akuzat për lidhje ilegale me ballistët, legalistët, indipendentët, etj., do të shndërroheshin për Ejëll Çobën në faje aq të rënda sa të meritonte vdekjen. Një vendim ky i propozuar nga hetuesi Abdyl Kuçi, prokurori i çështjes, Petrit Hakani dhe i miratuar nga gjyqtarët Gjon Banushi, Vasil Karajani e Xhevdet Fishku, por që nuk u ekzekutua. Shpëtimi i erdhi nga nëna e tij Pina, e cila nëpërmjet një letre, i kujton Prokurorisë së Përgjithshme se dekret-ligji Nr.339, datë 28.10.1946, i falte jetën personit që ishte vetëdorëzuar. Çështja shkon për rigjykim në Gjykatën e Lartë Ushtarake dhe, teksa Ejëll Çoba priste nga çasti në çast vdekjen, mbërrin lajmi i mirë: Dënim me burgim të përjetshëm! Lajm, që nuk i dha asnjë lloj emocioni Ejëll Çobës, pasi siç e thotë ai që në fillim të kujtimeve: Në mbramjen e 2 nandorit, ditën e shtunë, filloi kalvari im, vdekja ime e ngadaltë që do të zgjaste pa ndërpremje deri më 8 prill 1970: 23 vjet, 5 muaj e 5 ditë. Një çerek shekulli i plotë, nji jetë e humbun. Fraza e fundit është edhe titulli i librit, ndërsa ato çfarë do të lexoni më poshtë, janë pjesë të shkëputura nga ai, duke ruajtur dialektin shkodran.
2.11.1946

Kopertina e librit me kujtime, të botuara pas vdekjes së Ejëll Çobës, me titull Jetë e humbun

Nata e parë që fjeta i shkujdesun pas 2 vjetësh. Qetësi vdekjeje, si nata e parë e Searzon-it në vorr. Mbramjen e 2 nandorit, ditën e shtunë filloi kalvari im, vdekja ime e ngadaltë që do të zgjaste pa ndërpremje deri më 8 prill 1970: 23 vjet, 5 muaj e 5 ditë. Kalvar jo ma i pakët kishin qenë edhe dy vjetët e maparshme. Një çerek shekulli i plotë, nji jetë e humbun!
Ishte ora 9 e mbramjes kur hyna në nji dhomë të vogël, ku ishin katër vetë. Kapteri më caktoi vendin afër dritares. Porosia e parë që më dha ishte: Mos shiko nga dritarja, se roja e jashtme ka urdhër tju qëllojë mu në kokë. Mu duk zell i tepërt e naiv. Jeta e burgut e mavonshme më mësoi se ai kishte folë vetëm për kërcënim.
* * *
Më 25 dhjetor, ditën e Kërshëndellave, aty nga ora 11:00 erdhi kapteri i burgut dhe më tha Eja dhe më çoi drejt një kamioni. Duart i kisha të lidhuna dhe në kamion nuk mund të hypsha ashtu. Prandaj një roje më vuni shpatullat në vithe dhe më ngriti. Zura vend në krye të kamionit. Gjashtë roje të armatosuna ishin ulë në spondat e kamionit (po transferohej në burgun e Tiranës.shën.red) Të nesërmen, pesë oficera hapën derën dhe u futën plot madhni. Njëri nga nëntogerat, mu afrue e me nji buzëqeshje ironike që tregonte se më njihte mirë dhe me qëllim të dukshëm që ta kujtojshin edhe oficerat e tjerë, më pyeti:
Kush je ti?
Si ia tregova, vazhdoi:
Çzyrë ke patur?
Unë fillova ti thosha gjyqtar e ai:
Pastaj?
Unë: Drejtor në Ministrinë e Drejtësisë.
Pastaj? dhe si për të ndigjue ma mirë, kishte ngritë dorën e majtë të shtrime në naltësinë e veshit të vet.
Unë: Sekretar i Përgjithshëm në Kryeministri.
Pastaj? dhe afronte ftyrën ma afër ftyrës sime.
Unë: Nënministër pranë Këshillit të Ministrave.
Pastaj? e vazhdonte me u afrua edhe ma.
Unë: Nënministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Heeee!, – ia bani me kënaqësi dhe za të naltë, e, njëkohësisht, uli me turr dorën që kishte afër veshit të tij dhe afër hundës sime. Unë instinktivisht largova ftyrën.
Kështu vijoi disa javë. Kuptohet se natën sgjejshim pushim. Vetëm afër mëngjesit, kur britmat e të torturuemve të këputun e të drobitun shuheshin dhe ata bijshin të mekun Në këtë gjendje kalonin ditët, në pritje kur të na vinte radha edhe na me ulërit si kafsha. Nji ditë, Salih Vuçiterni (shok dhome në hetuesi) më tha: Jam gati të nënshkruej dënimin e vdekjes, por vetëm të shpëtoj nga torturat.
* * *
Mbas do ditësh, Salih Vuçiterni u transferua. Gjatë ditëve që qëndrova në birucë, nji mbramje ndigjova zane, të qeshuna dhe hyjo, hyjo dhe kambë që vrapojshin. Nuk arrijsha të kuptojsha çpo ndodhte. Shikova në sy shokët e birucës në mënyrë pyetëse. Ata që ndodhedhin prej kohësh në biruca dhe kishin shëtit prej njënës në tjetrën, më shpjeguen se ajo zhurmë, poterë gazmore, ishte nji argëtim që ua lejoj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›