E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një polic në vrasjen e kushëririt

Vendi ku u vra Viktor Krosi

Policia e Krujës zbardh vrasjen e 37-vjeçarit Viktor Krosi. Një efektiv i saj me dy të tjerë dyshohet se janë autorë të krimit ndaj babait të tre fëmijëve, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së shtunës në afërsi të fshatit Bushnesh të Krujës.Ata janë kushërinj me viktimën dhe, sipas policisë, vrasja e Krosit kishte në thelb motivin e pronësisë. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, tre personat e dyshuar për pjesëmarrje në krim, Llesh Krosi, bashkë me vëllain Andonin dhe djalin e tij, ndodhen në komisariat, deri në komunikimin e masës së arrestit. Policia shprehet se ka zbuluar plotësisht ngjarjen dhe se shkak për eliminimin e Krosit kanë qenë konfliktet e vazhdueshme të viktimës me të afërmit e tij, deri në tentativa për vrasje e autorëve të krimit nga ana e 37-vjeçarit pak kohë më parë për motive pronësie. Në momentin e vrasjes së Viktor Krosit, i cili po kthehej në shtëpi me një karrocë me kalë, me të ndodhej dhe djali i vogël, i cili është zbritur nga autorët e krimit prej saj. Më pas, ata kanë qëlluar pesë herë me pistoletë në drejtim të 37-vjeçarit. Dje, policia e Krujës pohoi faktin se Viktor Krosi kishte konflikt me kushërinjtë e tij, duke e agravuar gjithmonë e më tepër atë. Disa herë ai kishte hyrë në banesën e tyre i armatosur me kallashnikov dhe i ka kërcënuar ata, madje duke qëlluar brenda banesës, me qëllim ushtrimin e presionit tek të afërmit. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, pohohet se një muaj më parë viktima kishte hyrë në banesën e Llesh Krosit, punonjësit të policisë, në momentin që në tavolinë ishin ulur të hanin darkën. Mësohet se viktima ka hyrë në banesën e kushëririt të tij dhe, pasi ka fyer, ka qëlluar drejt tavanit e më pas në tryezën e bukës. Konfliktet e njëpasnjëshme duket se kanë sosur edhe durimin e të ndaluarve, të cilët kanë vendosur edhe ekzekutimin e kushëririt të tyre. Dy vëllezërit dhe djali i njërit prej tyre i kanë zënë pritë Viktor Krosit, teksa ai po kthehej me karrocën e ngarkuar me bar drejt shtëpisë. Rreth 500 metra larg banesës i kanë dalë para duke e qëlluar me pistoletë. 37-vjeçari humbi jetën rrugës për në Spitalin Ushtarak, për shkak të plagëve të shumta, një prej të cilave në kokë. Mësohet se autorët e kanë pranuar krimin, por ende nuk dihet se cili prej tyre ka qëlluar dhe nëse është përdorur arma e policit për vrasjen. Për këtë shkak, arma e policit të Krujës, Llesh Krosi, është dërguar për ekspertim balistik tek ekspertët përkatës. Policia e Krujës ka organizuar efektiva policie me shërbim në Bushnesh, në afërsi të dy banesave të viktimës dhe autorëve, të cilat janë afër njëra-tjetrës.

KRUJE/ ROLAND NIKOLLI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›