E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekipi i unitetit, opozita braktis Thaçin

Opozita në Prishtinë u përgjigjet negativisht thirrjeve që vijnë nga Qeveria dhe partia më e madhe në pushtet, për formimin e një ekipi të unitetit para nisjes eventuale të bisedimeve dhe takimeve në nivele të larta politike me Serbinë.

Përfaqësuesit e opozitës i shohin këto thirrje të kreut të Qeverisë, si përpjekje për shpërndarjen e përgjegjësisë pas bisedimeve teknike, të cilat, sipas opozitës, i sollën vetëm dëme Kosovës.

Shefi i Grupit më të madh parlamentar opozitar në Kuvend, atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, thotë se LDK-ja nuk do të jetë pjesë e planeve të kryeministrit Hashim Thaçi për bisedimet e ardhshme eventuale me Beogradin zyrtar.

“Kryeministri Thaçi nuk ka kurajën dhe guximin t`u thotë jo zhvillimeve të dëmshme për vendin, prandaj edhe tenton të gjejë edhe të tjerë në mënyrë që të shpërndahet kjo bashkëfajësi. Pjesë e këtyre dëshirave të zotit Thaçi, LDK-ja, sigurisht që nuk do të jetë”, deklaron Beqiri.

Partitë opozitare e rikujtojnë Qeverinë se bisedimet politike me Serbinë kanë përfunduar me negociatat e Vjenës.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thotë se me veprimet e veta, Qeveria aktuale i ka bërë dëme Kosovës me procesin e deritashëm të bisedimeve, të cilësuara si teknike, dhe tash, vijon ai, nuk ka nevojë që të thellohet edhe më tepër në një proces edhe më të dëmshëm për interesat e vendit.

Zyrtari i AAK-së, Ahmet Isufi, e fton Qeverinë që t`i marrë përsipër përgjegjësitë që i ka, duke i konsideruar të panevojshëm trupat e përbashkët, siç do të ishte formimi i një ekipi të unitetit, në kohën kur vendi i ka institucionet e zgjedhura.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›