E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fule: Kosova, kusht kryesor për integrimin e Serbisë

Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule është shprehur i bindur se negociatat për anëtarësim në BE do të jenë prioritet edhe i Qeverisë së re të Serbisë dhe se përparimi i marrëdhënieve me Kosovën do të jetë i domosdoshëm për hapjen e negociatave.
 

Në një intervistë për mediat serbe, Fule shfaqi bindjen se Serbia do të shënojë përparim në marrëdhëniet me Kosovën dhe e quajti “problem fundamental i cili qëndron në rrugën e hapjes së negociatave”, transmetojnë mediat e Beogradit.
Fule rikujtoi një varg detyrash që duhet të përmbush Serbia, të shtruara nga Këshilli i Evropës qysh në dhjetor të vitit 2011.
 

Në konkluzionet e dhjetorit të Këshillit theksohet se Serbia duhet të vazhdojë dialogun dhe të arrijë normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën që të marrë datën e fillimit të negociatave.
 

Fule po ashtu është shprehur optimist rreth perspektivës evropiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, posaçërisht për Kroacinë e Malin e Zi, të cilat kanë bërë më së shumti përparim.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›