E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekonomia gjate vitit 2012-2013

Banka e Shqipërisë ka vendosur të mbaj të pandryshuar normën bazë të lekut në nivelin më të ulët historik të 4%. Sipas Guvernatorit Fullani kjo do të thotë se “norma bazë e interesit në 4% e pandryshuar ruan karakterin stimulues të politikës monetare dhe duke i mundësuar ekonomisë reale të përfitojë nga kushtet më të mira të financimit në vitin 2013”. Edhe pse mbulimi me shifra për gjysmën e dytë të 2012 nuk është ende i plotë Guvernatori i Bankës Qëndrore ka konfirmuar se në tremujorin e tretë të vitit ka patur një rritje pozitive të ekonomisë. Kjo e ndikuar, sipas tij, nga kërkesa e huaj pasi ajo e brendshme mbetet ende e dobët. Në vlerësimin e Guvernatorit, analiza e të dhënave të tërthorta konfirmon të dhënat e mëparshme për një rritje pozitive në këtë periudhë në nivele të ngjashme me  tremujorin e dytë të vitit. Rritje kjo e mbështetur nga kërkesa e huaj pasi kërkesa e brendshme mbetet ende e dobët Gjatë kësaj periudhe ka patur një rritje të shpenzimeve konsumatore, por konsumi privat dhe investimet kanë qenë të ulëta. 
“Shpenzimet konsumatore vlerësohen të jenë rritur gjatë tremujorit të tretë duke u reflektuar edhe në një aktivitet më të mirë të shërbimeve. Megjithatë konsumi privat mbetet i dobët si pasojë e ecurisë së ngadaltë të ekonomisë dhe njëkohësisht e pasigurisë së perceptuar për të ardhmen. Ecuria tij në një periudhë afatmesme mbetet ende e paqartë. Investimet private mbeten të ulëta në prani të shfrytëzimit jo të plotë  të kapaciteteve të prodhimit, të pasigurisë për ecurinë e kërkesës së brendshme dhe të huaj si dhe të kushteve më të shtrënguara të financimit nga sektori financiar”, vuri në dukje Fullani. 
Ndërkohë që në nivel vjetor, Guvernatori ka raportuar se gjatë tre mujorëve të parë të vitit janë shënuar rritje të shpenzimeve publike, por sipas tij, deficiti buxhetor ka qenë i kontrolluar.
“Politika fiskale e ndjekur gjatë tre tremujorëve të parë të vitit është  materializuar në një rënie vjetore të shpenzimeve publike në këtë periudhë ndërkohë që rritja e të ardhurave ka qenë e ulët  dhe njëkohësisht deficiti buxhetor i kontrolluar. Shpenzimet publike në tremujorin e parë kanë qenë në rënie”, vuri në dukje ai.  Kërkesa për kredi gjatë këtij viti ka qenë e ulët si për individët ashtu edhe biznesin. Por edhe sistemi bankar pavarësisht kushteve të shëndetshme është treguar i kujdesshëm në dhënien e kredive.  Në këtë raportim të fundit për këtë vit kreu i BSH ka dhënë edhe parashikimet për 2013-ën. “Vitin 2013 do të karakterizohet nga rritja e shpenzimeve fiskale dhe e deficitit buxhetor. Kjo politikë fiskale rrit stimulin makroekonomik në afat shkurtër por ajo duhet të jetë e kujdesshme ndaj nevojës për qëndrueshmëri afatmesme e afat gjatë të borxhit publik”, vlerësoi Fullani. Banka e Shqipërisë ka siguruar se inflacioni do të vijojë të mbetet brenda objektivit dhe çmimet e konsumit do të kenë një rritje me norma të ulëta.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›