Ekosistemi në Parkun e Divjakës, 30 çifte fazanësh të egër janë lënë të lirë në habitatin natyror

Rreth 30 çifte fazanësh të egër janë lënë të lirë në habitatin natyror të Parkut Kombëtar Divjakë- Karavasta. Individët e lëshuar janë gati për folenizim dhe shtimi i fazanit do të mbikëqyret nga banorët e zonës, të cilët thonë se në bashkëpunim me shoqatat e gjuetarëve do të ruajnë këtë popullatë fazanësh dhe do të kujdesen edhe për hedhjen e ushqimit.
“Ne si banorë të zonës do ta ruajmë dhe do ta shtojmë sa më shumë”, u shpreh një banor i zonës.
Federata Shqiptare e Gjuetisë ka zgjedhur habitatin e duhur natyror për të lëshuar fazanët, ndërsa pas disa muajsh do të lëshohen edhe disa çifte thëllëzash të fushës.
“Kujtojmë që ka 30 vite që nuk ekzistoni fazani në Shqipëri dhe është hera e parë që ne po ripopullojmë një zonë me fazanë”, u shpreh Themi Perri, President i Federatës Shqiptare të Gjuetisë.
Thëllëza, derri dhe lepuri i egër janë lëshuar në natyre nga Shoqatat e Gjuetarëve disa vjet më parë, por gjuetia e paligjshme solli zhdukjen e tyre. Sot gjahtarët kërkojnë sa më shpejt nxjerrjen e ligjit të ri, pasi janë shtuar në masë kafshët e egra duke prishur raportin midis specieve të tjera.
“Duam mbështetjen e shtetit në ligjin që fauna e egër të shtohet”, u shpreh Ahmet Deliu, Kryetar i Shoqatës së Gjuetarëve, Peqin.
Realizimi i këtij procesi u bë nga përfaqësuesit e Federatës Kombëtare të Gjuetisë dhe Agjencia e Zonave të Mbrojtura, Fier. Fazanët kanë qenë pjesë mjaft e rëndësishme e ekosistemit të Parkut Kombëtar dhe së shpejti disa çifte të tjera do të hidhen edhe në pjesën e brendshme të pyllit në Divjakë.
/rtsh.al/