Ekrem Imamoglu mbetet në burg, gjykata “kyç” në qeli kryebashkiakun e Stambollit

Gjykata e Stambollit ka lënë në burg kryebashkiakun e Stambollit, Ekrem Imamoglu.
Trupa gjykuese ka urdhëruar që ai të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Ai u arrestua të mërkurën, duke shkaktuar protesta në të gjithë Turqinë.
Në bazë të hetimeve të kryera, Prokuroria e Stambollit dyshon se Imamoglu, së bashku me 100 persona të tjerë, mes të cilëve gazetarë dhe biznesmenë, janë përfshirë në aktivitete kriminale që lidhen me tenderat e dhënë nga bashkia.
Burgosja e tij shihet gjerësisht si një lëvizje politike për të larguar një kundërshtar kyç nga gara e ardhshme presidenciale, që do të mbahet në vitin 2028. Por autoritetet kanë mohuar se akuzat ndaj figurave opozitare janë të motivuara politikisht dhe kanë këmbëngulur se gjykatat veprojnë në mënyrë të pavarur.
Ky vendim zyrtar i gjykatës vjen në një kohë kur partia e tij opozitare, Partia Popullore Republikane, ka nisur mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme për të caktuar kandidatin për president, me qëllim që të mbështesë Imamoglun për këtë post, pavarësisht arrestimit të tij.
Para arrestimit, Ekrem Imamoglu përballej me disa raste penale që mund të rezultonin me dënim me burgim dhe me një ndalesë politike. Ai ishte në procesin e apelimit të një dënimi të shqiptuar më 2022 për fyerjen e anëtarëve të Këshillit Suprem Zgjedhor të Turqisë.
/vizionplus.tv