Rama prezanton skuadrën e Vlorës, kryeministri kritikon deputetët aktualë të qarkut

Kryeministri Edi Rama prezantoi kandidatët e partisë socialiste për Vlorën.
Nga bastioni i të majtëve, Rama u shpreh se skuadra e përzgjedhur është oferta më e mirë për qarkun e Vlorës.
“Skuadra e qarkut të Vlorës ka një cilësi që e reflektojnë dhe skuadrat e qarqeve të tjera, por në Vlorë ka harmonizim mes ambicies, qëllimeve dhe shoqërisë së përbërë nga komunitete, prejardhje e opinione jo gjithmonë të njëjta. Ne me këtë skuadër i japim qarkut të Vlorës një ofertë që nuk i kemi dhënë më parë, me këtë lloj larmie e mundësi për të zgjedhur brenda për brenda skuadrës dhe duke dhënë individëve mesazhin se askush nuk mund të ndihet i papërfaqësuar,” tha Rama.
Kryetari i Partisë Socialiste përsëriti objektivin për antarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030.
“PS është hapësirë ku ka vend për të gjithë… që ndajnë qëllimin e madh, atë që të bëjmë Shqipërinë anëtare të BE-së dhe të rrisim më tej cilësinë e jetës në Vlorë, Sarandë, Delvinë, Konispol, Finiq e Selenicë, për t’i dhënë fuqi të shtuar ekonomisë vendore,” shtoi kryeministri.
Rama nuk i kurseu kritikat për deputetët aktualë të Vlorës, që sipas tij nuk kanë bërë sa duhet për të qenë sa më afër qytetarëve.
“Deputetët që, përtej faktit që nga pikëpamja personale, unë i konsideroj miq, por që nuk kanë rrezatuar asgjë në raport me atë që duhet të rrezatonin këtu në Vlorë dhe mbi të gjitha që nuk kanë krijuar dot me njerëzit dhe për njerëzit atë sinergji mes të qenit qytetar që ndajnë të njëjtën hapësirë dhe të qenit përfaqësues të tyre, duke iu gjendur pranë, duke iu qarë hallin nëse nuk ua zgjidhin dot, etj,” tha Edi Rama.
Në Vlorë, kryeministri Edi Rama bashkëbisedoi me operatorët turistikë për t’u njohur me përgatitjet për sezonin veror.
/vizionplus.tv