Ekskluzive: Intervistë me Azem Maksutaj, kampionin e botës

Boksieri me famë botërore, Azem Maksutaj ka dhënë një intervistë ekskluzive për "Indeksonline" duke rrëfyer për karrierën e tij tejet të suksesshme si boksier, objektivat dhe dashurinë që ka për vendlindjen e tij, Kosovën.
Maksutaj është 14 herë kampion i botës në katër versione dhe pesha të ndryshme.
"Në shtator ose tetor do të zhvilloj meçin e fundit në karrierë. Do të jetë një meç përfundimtar ku do të përgatitem për titullin kampion të botës për herën e 15-të. Nëse do të ndodhë kjo do të jem kampion rekord për më së shumti tituj të kampionit të botës. Në Zvicër jam boksieri më i suksesshëm duke u shpallur kampion zvicëran në kategori të ndryshme" deklaroj Maksutaj.
Pjesë e suksesit të tij është edhe trajneri i suksesshëm i tij, kosovari Enver Cakiqi. Cakiqi është trajner ndërkombëtar, i zgjedhur si trajneri më i mirë në në Evropë para disa vitesh ndërsa është shpallur 4 herë si trajneri më korrekt në botë.
Boksieri nga Deqani, Azem Maksutaj u rrfëye edhe për filmin e tij "Being Azem" duke e cilësuar si tejet të suksesshëm në Zvicër, por që në Kosovë ai nuk u afirmua dhe u minimizua duke mos shprehur as interesim e financim për këtë film.
"Filmi ka bërë bujë të madhe në Zvicër. Ka qenë shumë i shikuar në kinematë zvicërane. Filmi tregon se si një sportist nga një vend i vogël mund të arrijë famë të madhe. Filmi është një reklamë e mirë edhe për Kosovën duke e bërë të njohur atë në arenën ndërkombëtare. Në Kosovë filmi u minimizua shumë. Pati shikime në kinemanë ABC por që institucionet kosovare e minimizuan atë" tha ndër të tjera Maksutaj.
Maksutaj në mesin e shumë meçeve në karrierë e kujton atë me legjendarin suedez, Larry Lindvall.
" Lindvall kishte meçin e tij të fundit përmbyllës të karrierës së tij dhe dëshironte fitore të madhe ndaj meje. Gjatë udhëtimit me aeroplan për në Suedi, isha me një shok timin dhe ai mu drejtua: “Mua vëllau më ka vdek, ndërsa nëna jote po lufton me jetën, e di sa e vështirë është, por kjo nuk do të ndal asgjë nga ti që të fitosh sonte. Fito për nënën tënde” më pati thënë ai" shtoj Maksutaj.
Boksieri i famshëm kosovaro-zvicëran tha se në Zvicër aktualisht ka 3 shkolla të boksit ku në mesin e tyre ka edhe boksier të ri shqiptar. Krejtë kjo famë e Azem Maksutaj është rritur dhe afirmuar me sukseset e tij në Zvicër por që gjithmonë në njërin krah me flamurin shqiptar dhe në tjetrin me atë zvicëran.
Por pavarësisht atdhedashurisë së tij të treguar me vepra, Maksutaj tregon se si shteti dhe institucionet tona asnjëherë nuk e kanë përkrahur, mirënjohur dhe vlerësuar atë.
"Kurrë nuk kam marrë ndonjë mirënjohje, falënderim, privilegj për suksesin tim ku gjithmonë është pranë meje edhe Kosova dhe simbolet e saj. Përveç simpatizantëve të mi në diasporë, institucionet kosovare nuk më kanë njohur e nderuar. Unë nuk kam nevoj për to pasi që financiarisht qëndroj mirë pas sukseseve të arritura, por që falë asaj që gjithmonë e kam treguar respektin me vepra për shtetin tim, institucionet mua kurrë nuk më kanë kontaktuar. I vetmi njeri që më ka kontaktuar e më ka dhënë mirënjohje është kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Megjithatë kjo nuk përbën ndonjë problem për mua pasi që unë vazhdoj ta dua vendin tim dhe në disa raste e kam ndihmuar atë financioarisht me disa fonde personale" deklaroj Maksutaj./Shkëlqim Osmanaj-Indeksonline/