E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët: Vizita e delegacionit të Kosovës në Uashington, me rëndësi të veçantë

Çfarë rëndësie ka takimi i udhëheqësve të Kosovës këtu në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Bush? A është ky më tepër një takim simbolik? A do të ketë ky takim ndonjë ndikim në njohjen e Kosovës nga vende të tjera?

Daniel Server, ekspert i Institutit amerikan të Paqes, mendon se kjo vizitë është e një rëndësie të veçantë, e cila e konfirmon edhe njëherë Kosovën si një vend që pranohet në bashkësinë e shteteve.

“Kjo është një simbolikë e rëndësishme që presidenti i Shteteve të Bashkuara pret udhëheqësit e Kosovës. Kjo nuk simbolizon vetëm pavarësinë e Kosovës, por edhe marrëdhëniet e fuqishme dypalëshe ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, gjë që kosovarët e çmojnë shumë”.

Takimi me presidentin Bush, sipas zotit Server, është një lloj shpërblimi për punën që kanë bërë udhëheqësit e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.

“Mendoj se këtu, në Uashington, ekziston opinioni se duhet të njihet puna e mirë që kanë bërë udhëheqësit e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës”.

Shtetet e Bashkuara po i presin udhëheqësit kosovarë me protokoll shtetëror - një simbolizëm tjetër ky për Kosovën si vend anëtar i familjes së shteteve.

Ish-shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen, mendon se kjo vizitë është një mesazh i fuqishëm që Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të dërgojnë në bashkësinë ndërkombëtare për Kosovën dhe pavarësinë e saj.

“Ky është një konfirmim i qartë i Kosovës si një shtet i pavarur. Mendoj se kjo është një vizitë shumë e rëndësishme dhe padyshim që nuk do të kalojë pa u vënë re edhe në shumë pjesë të tjera të botës. Ky është edhe një hap i Kosovës drejt konsolidimit të pavarësisë së saj”.

Vizita e udhëheqësve kosovarë në Shtëpinë e Bardhë dhe takimi i tyre me presidentin Bush mendohet nga analistët se mund t’i japë një shtytje njohjes së pavarësisë së Kosovës nga vende të tjera. Por zoti Petersen mendon se kjo para së gjithash do të jetë një detyrë, e cila do të varet kryesisht nga udhëheqësit e Kosovës dhe puna që do të bëjnë ata.

“Ekziston nevoja që të punohet shumë që Kosova të njihet edhe nga vende të tjera. Është shumë e rëndësishme që deri në shtator të arrihet ajo që unë e quaj masë kritike e njohjes. Nuk kam dyshim se kjo do të arrihet, por nuk do të bëhet vetvetiu. Ajo do të bëhet me një punë të madhe dhe strategji të qartë nga udhëheqësit e Kosovës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›