Ekspertët ligjorë serbë: Vuçiq po mbron Radoiçiqin. Ajo që bëri Serbia ishte akt terrorist

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë për ngjarjet në fshatin Banjskë më 24 shtator, kur u vranë tre agresorë serbë dhe ra në krye të detyrës rreshteri Afrim Bunjaku dëshmoi si shtetas serb në Ministrinë e Brendshme. Avokati i tij Goran Petronijeviq pretendon se ai mund të jetë përgjegjës për posedimin e një arme.
Megjithatë, ekspertët ligjorë serbë mendojnë ndryshe. Avokati Ivan Niniq shprehet se prokurori para se të fillojë të merret me Radoiçiqin, duhet të kontrollojë Vuçiqin nëse duan të respektojë Kushtetutën e Serbisë apo Marrëveshjen e Brukselit.
Sipas avokatit Niniq, Vuçiq mbron kriminelët, ka çmimin e vet që duhet paguar në fund, “dhe ne do ta paguajmë si komb”.
“Për ta shpëtuar Vuçiqi duhet të dorëzojë diçka konkrete në Perëndim dhe në Prishtinë, dhe u pa se si ia kishte dalë Boris Tadiq me Karaxhiqin dhe Mlladiqin dikur”, thotë Niniq.
Avokati Çedomir Stojkoviq thotë për Danas se Goran Petronijeviq nuk e thotë të vërtetën dhe se Milan Radoiçiq është qartazi autor i veprës së mbajtjes pa leje dhe mbajtjes së armëve dhe lëndëve shpërthyese.
“Në videon e publikuar nga mediat kosovare shihet qartë se ai mban në dorë një pushkë automatike që civilët nuk lejohen ta mbajnë dhe as ta posedojnë. Sipas nenit 348, paragrafi 4, dënimi për atë vepër penale është prej 2 deri në 12 vjet burgim. Po ashtu, sipas nenit 391 të Kodit Penal të Republikës së Serbisë, ky lloj organizimi i një formacioni paraushtarak me armë të rënda konsiderohet terrorizëm, i cili dënohet me burgim nga pesë deri në 15 vjet” – thekson Stojkoviq
Sipas tij, nuk ka dyshim se sipas ligjeve të Serbisë, ky formacion i armatosur përfaqëson një organizatë terroriste, sepse çdo formacion i armatosur që nuk është pjesë e ushtrisë apo policisë serbe, me armë kaq të mëdha dhe të rënda, është grup terrorist.
“Po ashtu, është e qartë se gjatë aksionit të atij grupi është vrarë një polic i Kosovës dhe sipas nenit 114 paragrafi 1 pika 7, kjo është një vrasje e rëndë, e cila dënohet me burgim së paku 10. vjet deri në dënimin maksimal me burgim të përjetshëm. Organizatori i grupit, nxitësi dhe ndihmësi dënohen njësoj si autori i menjëhershëm”, shprehet më tej avokati Stojkoviq për median serbe, Danas.
Ai thekson se vrasja e rreshterit Bunjaku është vepër penale shumë e rëndë, ndërsa shpjegon se ajo që bënë forcat serbe në veri të Kosovës ishte një akt i pastër terrorist.
“Prandaj, sipas ligjit serb, vrasja e një polici të Kosovës është vepër penale e vrasjes së rëndë. Përkatësia në një organizatë paraushtarake është një akt kriminal terrorizmi. Dhe dhënia e armës për të kryer veprën e vrasjes së rëndë (vrasja e një polici të Kosovës) është ndihmë në atë vrasje. Veprat kriminale që ka kryer Milan Radoiçiq, ose në të cilat ai ka marrë pjesë, ose ka ndihmuar në të, ose të cilat i ka organizuar, janë shumë më të rënda sesa thjesht mbajtja pa leje e armëve automatike”, thekson Stojkoviq.
Ai tregon se në një gjyqësor të pavarur dhe në një shtet normal, ai do të ishte arrestuar dhe ndaluar menjëherë.
“Refuzimi i Serbisë për ta bërë këtë, refuzimi i prokurorit për të zbatuar ligjin ndaj shokut të Aleksandër Vuçiqit, krijon frikë në popullatë dhe nëse jeni mik i Vuçiqit, atëherë mund të keni automatikë, bomba, raketahedhës dhe autoblinda pa u ndëshkuar. Dhe se mund të vrasësh një polic pa u ndëshkuar”, thotë Stojkoviq.
Ai shton se pikërisht kështu ka qenë edhe në fund të viteve nëntëdhjetë, kur Vuçiq ishte ministër në qeverinë e Sllobodan Millosheviqit.
“Prandaj, refuzimi i prokurorisë për të arrestuar Radoiçiqin dhe anëtarët e tjerë të organizatës paraushtarake të shkatërruar afër manastirit të Banjskës i shërben edhe qëllimit të frikësimit të qytetarëve të Serbisë që të mos bëjnë asgjë kundër politikës paramilitare të Aleksandër Vuçiqit për Kosovën”, përfundon Stojkoviq.
/rtsh.al/