E Martë, 3 Nëntor 2026

Ministri Vuçeviq: Ushtria serbe mund të hyjë në Kosovë me urdhër të Vuçiqit

Njësitë ushtarake serbe janë të gatshme të hyjnë në Kosovë me urdhër të presidentit Aleksandar Vuçiq, dhe sipas ministrit serb të Mbrojtjes, ata do të kryenin çdo mision që u kërkohet.

“Dua të përsëris shumë qartë dhe saktë ato që kam thënë shumë herë si ministër i Mbrojtjes. Nëse ushtria serbe merr një urdhër nga Presidenti i Republikës së Serbisë në cilësinë e komandantit të përgjithshëm që njësitë e saj duhet të hyjnë në territorin e Kosovës, si pjesë e Republikës së Serbisë, forcat e armatosura do ta kryejnë këtë detyrë në mënyrë efikase, profesionalisht dhe me sukses,” tha ministri Milosh Vuçeviq në një konferencë për shtyp.

Ministri i Mbrojtjes deklaroi gjithashtu se të gjitha manovrat e njësive ushtarake, Serbia i kryen në përputhje me rregulloret kombëtare, jo në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe ndërkombëtarët nuk duhet të shqetësohen.

Deklarata e Vuçeviqit mori shkas nga ngjarja në Banjskë, ku persona të armatosur e të maskuar sulmuan oficerët e policisë në veri të Kosovës, duke vrarë një prej tyre më 24 shtator. Sulmi është dënuar nga komuniteti ndërkombëtar, është shpallur “akt terrorist” nga Kosova, ndërsa Shqipëria përsëri të hënën thirrjen përmes kryeministrit Edi Rama që Serbia të ndëshkohet për ngjarjen me protagonistë serbë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›