E Diel, 1 Nëntor 2026

Eksperti i sigurisë Softa: Vrasja e Danit ishte ‘e paralajmëruar’, vendi i atentatit në Rinas u zgjodh me kujdes, atentatorët me njohuri ushtarake

Atentati mafioz i djeshëm pranë aeroportit “Nënë Tereza”, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos agjenti i AMP-së Muçi Shaljani, është analizuar nga eksperti i sigurisë, Fation Softa, i ftuar në emisionin “Në kohë reale” me Flori Gjinin.

Softa e cilësoi ekzekutimin si “të egër dhe me mjaft qetësi” dhe theksoi se vendi i krimit nuk ishte i rastësishëm.

Analiza e ekspertit – Pse u zgjodh Rinasit?

Eksperti i sigurisë, Fation Softa, vuri theksin te rëndësia e vendit të ekzekutimit.

“Vendi i ekzekutimit ka qenë i zgjedhur me kujdes nga atentatorët, sepse tek rrethrrotullimi ulet shpejtësia, dhe ofron 3 drejtime të ndryshme nga ku mund të ikësh,” shpjegoi Softa.

Sipas Softës, ekzekutimi ishte “i egër dhe me mjaft qetësi,” duke lënë të kuptohet se autorët kanë “njohuri ushtarake”.

Softa theksoi se vrasja e Danit ishte një “vrasje e paralajmëruar”, pasi viktima ishte tentuar të vritej (dhe ishte plagosur) dy herë më parë.

Eksperti sugjeroi tre pista kryesore hetimi: personat që ndodheshin në bordin e avionit me Danin; trajektorja e lëvizjes nga parkingu në dalje; si dhe agjencitë e udhëtimeve, duke lënë të hapur mundësinë që vrasja mund të ishte e vështirë të bëhej në Spanjë dhe u realizua në Shqipëri.

Zbardhja e atentatit nga pamjet

Pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes konfirmuan analizën e Softës mbi egërsinë e veprimit të atentatorëve. Më dramatike ishte se, pas ndalimit të Benzit, një prej atentatorëve, pasi iu bllokua arma automatike, nxori pistoletën dhe qëlloi nga afër në anën e pasagjerit ku ishte Gilmando Dani, duke treguar vendosmëri për të përfunduar ekzekutimin.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›