Eksperti italian: Colturi talent i pastër, bëri mirë që zgjodhi

Me të artën që fitoi në “superG” në Botërorin e të rinjve dhe kualifikimin për në raundin e dytë në Kupën e Botës në Kronplatz Lara Colturi ka bërë që në Itali të ngrihen pikëpyetje rreth kalimit të saj në kombëtaren tonë.
Për të dhënë mendimin e vet mbi këtë çështje foli sot Massimiliano Ambesi, komentator i Eurosport i garave të skive. “Nëse në nivel të rinjsh kam një atlet, i cili edhe pse është vetëm 16-vjeç jep rrezultate më të mira se ata që janë tre vite më të mëdhenj do të thotë se kemi të bëjmë me një talent. Rrezultatet e Lara Colturi-t nuk janë të rëndësishëm, janë shumë të rëndësishëm. Colturi përballet me vjaza që kanë mbushur 20 vjeç dhe i mund në një specialitet, i cili në letër nuk i përshtatet shumë siç është ‘superG’. Ajo ka punuar më shumë me aspektin teknik dhe kjo u vu re mjaft mirë në Kupën e Botës në slallomin gjigand”, arsyetoi Ambesi.
Më tej opinionisti u shpreh edhe mbi vështirësitë që ka Italia në ndryshimin e brezave si dhe për dobësinë e treguar me rastin Colturi. “Palët morën një vendim dhe ne duhet ta pranojmë. ‘FISI’ e pati të vështirë të merrej me grupin Colturi. Nga ana tjetër ky i fundit kërkonte të digjte etapat. Mes palëve nuk u gjet gjuha e përbashkët dhe kështu të gjithë morën vendimin e duhur. Italia humbi një talent edhe pse kam dëgjuar se mund të rikthehet, por personalisht nuk uroj diçka të tillë. Nëse Lara ka gjetur dimensionin e vet me Shqipërinë bën mirë të qëndrojë atje”, pohoi Massimiliano Ambesi.