Eksploziv biznesit në Kamëz, Gjykata e Tiranës liron nga qelia ish-efektivin e Policisë

Gjykata e Tiranës ka liruar nga qelia ish-efektivin e policisë Jeton Lami duke e dërguar në arrest shtëpie për ngjarjen e disa ditëve më parë në Kamëz ku iu vu eksploziv biznesit të shtetasit Saimir Sina. Në “detyrim paraqitje” u la Florin Domi që ofroi edhe garanci pasurore në vlerë 600 mijë lekë të reja, ndërsa nuk ndryshoi masa e arrestit në burg për Flogert Mzhika.
Ndërkohë mbetet në kërkim Ervis Lami që prej rreth një viti ka një tjetër masë arresti në mungesë për disa armë që iu gjetën në banesë.
Policia njoftoi se arsyeja e vendosjes së lëndës eksplozive që shkaktoi dëme të konsiderueshme në biznes është një gjobëvënie prej 500 000 eurosh, që autorët i kishin vendosur pronarit të godinës Saimir Sina, ndërsa ky i fundit kishte refuzuar që t’ia jepte.
“Rreth orës 02:20, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamëz, në ambientet e jashtme të biznesit në pronësi të shtetasve B. E. dhe K. M., ka shpërthyer një sasi e dyshuar lënde plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.“, thuhej në njoftimin e policisë pak ditë më parë.
/RTSH/