Mjekë, infermierë, mësues e policë me paga më të larta në 2026, Rama: 100 milionë euro kostoja totale

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur në Kuvend për prezantimin e projektbuxhetit të vitit 2026, njoftoi një paketë të gjerë rritjesh të diferencuara pagash, e fokusuar në kompensim më të drejtë dhe mbështetje më të madhe për shërbimet bazë të administratës publike.
Rama bëri të ditur se 10 mijë e 600 punonjës të kategorive si sanitare, shoferë, teknikë, aktivistë, magazinierë, protokollistë dhe punonjës të tjerë të shërbimeve do të përfitojnë rritje prej 10 mijë lekësh të reja në muaj, falë rritjes së pagës minimale.
Për specialistët e administratës publike, kryeministri sqaroi se rritja e parashikuar është 5 mijë lekë të reja në muaj, duke synuar një shpërndarje më të drejtë të kompensimit ndërmjet niveleve të ndryshme të shërbimit civil.
Në sektorin e arsimit, Rama bëri me dije se mësuesit do të marrin rritje prej 3 mijë lekësh të reja në muaj, si pjesë e rritjes së përgjithshme të pagave në sistemin arsimor.
“10 mijë e 600 punonjës shërbimi, sanitare, shoferë, teknikë, aktivistë, magazinierë, protokollistë, do përfitojnë nga rritja e pagës minimale me 10 mijë lekë të reja në muaj. Specialistë të administratës publike 5 mijë lekë të reja në muaj. Mësuesit do përfitojnë 3 mijë lekë të reja në muaj.
Në Shëndetësi përveç indeksimit vjetor do fillojë për herë të parë llogaritja e vjetërsisë në punë që paga e mjekut të përgjithshëm do shkojë nga 131 mijë e 700 lekë në 143 mijë e 500 lekë. Paga e infermiereve nga 87 mijë lekë do shkojë në 92 mijë e 500 lekë”, theksoi Rama.
Kryeministri njoftoi se rritja e pagave prek të gjitha nivelet e Policisë së Shtetit.
“Përveç indeksimit për rritjen e vjetërsinë në punë, do bëjmë dhe për punonjësit e policisë së shtetit që për gradat më të ulëta do kenë një rritje mesatare prej 5 mijë lekësh të reja në muaj dhe pastaj sipas vjetërsisë në punë për inspektorët nga 80 mijë e 500 paga do shkojë në 84 mijë e 500, ndërsa shtesa do shkojë në 100 mijë lekë; nënkomistarët 95 mijë e 500 do shkojë në 116 mijë lekë.
Komisarët sot janë 105 mijë dhe në total do shkojnë në 125 mijë; drejtuesit e thjeshte sot janë 130 mijë do shkojnë në 156 mijë e 540 lekë të reja paga. Kostoja totale e këtyre masave sa i përket administratës është 100 milionë euro”, tha Rama.
Rama theksoi se paketa e rritjes së pagave për administratën publike dhe strukturat e tjera shtetërore do të ketë një kosto totale prej 100 milionë eurosh në buxhetin e vitit 2026.
/rtsh.al/