E Diel, 1 Nëntor 2026

Eksploziv makinës së emigrantit, shënjestra u lirua me amnisti nga burgu. U dënua për vrasje

TIRANE – Personi i gjymtuar në atentat me eksploziv në makinë pasditen e djeshme është 43-vjeçari Petrit Marku, me origjinë nga Mirdita, banues prej shumë vitesh në Belgjikë. Ai kishte rifituar lirinë, duke dalë nga Burgu i Shën Kollit, në Lezhë, vetëm para një viti, pasi kishte kryer 17 vjet burg për një vrasje të kryer në Tiranë, në vitin 1999.

Një vit nga dënimi i ishte falur në vitin 2010, nga amnistia e Presidentit të asaj kohe, Bamir Topi. Marku ishte shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare në vitin 1999, me masë sigurimi “arrest me burg” dhënë në mungesë nga Gjykata e Tiranës, me akuzën e “vrasjes me dashje”. Pas arrestimit në 2003-shin, më 17 maj të vitit 2005, ai është ekstraduar nga qyteti i Gentit në Belgjikë, ku kishte mbajtur prej vitesh emrin e rremë Haki Mulaj. Ai është shpallur në kërkim me masë sigurimi “arrest në burg”, për veprën penale të vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje. Krimin ai akuzohej se e ka kryer më 16 shkurt të vitit 1999, në rrugën “Mine Peza”, pranë bar “Florial”, kur Petrit Marku ka ekzekutuar me armë zjarri Manil Likën.

Burimet nga Policia e Tiranës thanë se konflikti mes tyre ka filluar kur Manil Lika ka pasur një përplasje me vëllezërit Franc e Gjin Doda nga Mirdita, miq të Petrit Markut. Ky konflikt dukej se ishte mbyllur, pasi palët ishin pajtuar, por Marku ka insistuar më idenë se Lika mund të vriste vëllezërit Doda.

Mëngjesin e 16 shkurtit, 14 vjet më parë, viktima, Manil Lika, pasi ka çuar fëmijët në shkollë, shkoi te lokali ku ndodhi krimi. Sipas burimeve, mësohet se aty u krijua një sherr më shumë me fjalë nga distanca dhe kërcënime verbale dhe vrasja më pas ndodhi për pyetjen “Pse më shikon me inat?”. Fillimisht të dy protagonistët janë ndarë, pasi viktima u largua për në shtëpi. Disa minuta më vonë, Manil Lika mbërriti sërish te lokali. Marku e ka parë teksa doli nga lokali dhe la pijen në gjysmë, ndërsa kundërshtari i tij po vazhdonte i qetë kafen. Teksa po kapërcente derën e lokalit, viktima është tërhequr nga Petrit Marku, i cili e ka qëlluar pesë herë në kokë dhe trup, duke e lënë të vdekur në vend. Autori i krimit është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u shpëtuar prangave të policisë. Ai është arrestuar në nëntor të vitit 2003 në Gent të Belgjikës, edhe pse përdorte pseudonimin Haki Mulaj, si shtetas nga Kosova. Petrit Marku ishte banor i rrugës “Don Bosko” në Tiranë, ku ishte shpallur në kërkim nga Komisariati Nr.3, që ia ka kaluar dosjen Interpol Tiranës.

(Panorama/BalkanWeb) Lidhje te tjera Eksploziv me telekomandë benz-it, gjymtohet emigranti nga Belgjika

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›