E Diel, 1 Nëntor 2026

Eksploziv në banesën me qira të 25-vjeçares

TIRANË- Një sasi eksploziviështë vendosur nga persona ende të panjohur në banesën e një vajze. Paraditen e djeshme, policia është njoftuar për një shpërthim të lehtë që ka ndodhur në një banesë pranë “Tregut Elektrik” në Tiranë. Menjëherë forcat e policisë së komisariatit nr.1 shkuan në vendin e ngjarjes për të bërë këqyrjen e provave. Burime nga policia thanë se pranë banesës ishte vendosur një sasi e vogël lënde plasëse e cila shpërtheu, por nuk ka shkaktuar dëme. Policia nisi menjëherë hetimet për të zbuluar shkaqet dhe autorët e ngjarjes. Nga policia mësohet se në banesën pranë së cilës u vendos lënda plasëse banon me qira një vajzë rreth 25-vjeçe. Ajo është marrë në pyetje për të deklaruar nëse dyshon tek ndonjë person. “Ende nuk dihet nëse shënjestra ka qenë banorja aktuale apo ish-banorë të tjerë pasi, policia ende po heton. Është marrë në pyetje 25-vjeçarja për të sqaruar nëse ka pasur ndonjë konflikt me persona të ndryshëm dhe nëse ajo dyshon te ndonjë person që mund t’i ketë vendosur lëndën plasëse” -thanë për “Shekullin” burimet nga policia. Deri në orët e vona të mbrëmjes policia ka shoqëruar disa persona si autorë të dyshuar, por pasi janë marrë në pyetje ata u lanë të lirë për mungesë provash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›