E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, zjarr në Uzinën e Petëzimit

Elbasan- Ka shpërthyer në flakë transformator në afërsi të Uzinës të Petëzimit që administrohet nga Kurum, në Elbasan. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, pas shpërthimit flakët kanë përfshirë të gjithë godinën ku ndodhet administrata dhe repartin e punëtorëve të uzinës.

Flakët janë dukur që në largësi, ndërkohë që retë e zeza të tymit kanë pushtuar qytetin. Nuk dihet ende shkaku i shpërthimit të transformatorit, ndërkohë që dyshimet e para janë për një mbingarkesë.

Megjithatë për të dhënë detaje do të duhet të pritet ekspertiza në vendin e ngjarjes, por për këtë do të duhet që më parë të punohet për normalizimin e situatës.

“Ende vazhdojnë flakët, ndërkohë që nuk bëhet asgjë e ditur nëse ka të lënduar mes punëtorëve apo jo”- thonë burimet nga vendi i ngjarjes.

Në vend kanë mbërritur 5 automjete të zjarrfikëses, por puna për shuarjen e flakëve është shumë e vështirë, pasi mësohet se transformatori punonte me vaj. Për shuarjen e tyre duhen mjete speciale si dhe duhet përdorur shkuma e jo uji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›