E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ekspozimi i objekteve numizmatike dhe arkeologjike, Banka e Shqipërisë marrëveshje me Akademinë e Shkencave

TIRANË, 19 shkurt /ATSH/ Akademia e Shkencave dhe Banka e Shqipërisë nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit “Për ekspozimin në muzeun e Bankës së Shqipërisë të disa objekteve numizmatike dhe arkeologjike në administrim të Akademisë së Shkencave/Institutit të Arkeologjisë”.

Marrëveshja e bashkëpunimit mes dy institucioneve u nënshkrua sot në Tiranë.

Të pranishëm ishin Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi.

Nënshkrimi i marrëveshjes synon rinovimin e afatit të mbajtjes për ekspozim të objekteve arkeologjike me vlera të zakonshme dhe monedhave numizmatike, pjesë e fondit të Institutit të Arkeologjisë në muzeun e Bankës së Shqipërisë.

Falë këtij partneriteti, tematika e parasë dhe historisë monetare të vendit tonë është trajtuar në një dimension më të plotë, duke tejkaluar kornizat e historisë së bankës qendrore dhe duke ofruar një panoramë më të gjerë të zhvillimeve ekonomike dhe kulturore të rajonit.

Rëndësia e objekteve numizmatike dhe arkeologjike të përfshira në këtë marrëveshje qëndron në faktin se ato përfaqësojnë një pjesë thelbësore të trashëgimisë sonë historike, duke ofruar dëshmi të pakundërshtueshme për zhvillimin e shkëmbimit paramonetar, prerjen dhe qarkullimin e monedhës në trojet tona, gjatë Prehistorisë dhe Antikitetit.

Në fjalën e tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë falënderoi Akademinë e Shkencave dhe Institutin e Arkeologjisë për besimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke evidentuar faktin se Muzeu i Bankës së Shqipërisë, nuk është vetëm një njësi e këtij institucioni, por edhe një qendër e ruajtjes së kujtesës historike e kombëtare dhe një platformë e fuqishme për edukimin financiar.

Si pjesë e Strategjisë së Bankës së Shqipërisë për edukimin dhe përfshirjen financiare, bazuar edhe në përvojën historike dhe në mësimet e së kaluarës, edukimi financiar përmes muzeut ndihmon brezat e rinj dhe mijëra vizitorë të të gjitha moshave që të zhvillojnë një qasje të qëndrueshme dhe të mençur ndaj parasë, duke ndërtuar kështu një kulturë më të fortë ekonomike dhe financiare në shoqëri.

Ai theksoi se Banka e Shqipërisë ndjehet e nderuar për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, e cila përfaqëson një hap të rëndësishëm në përpjekjet e përbashkëta për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore.

Në fjalën e tij përshëndetëse akad. Skënder Gjinushi vlerësoi bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë në organizimin e veprimtarive të përbashkëta në fushën e ekonomisë dhe financave e veçanërisht në ekspozimin në muzeun e Bankës të dhjetëra monedhave të periudhës kryesisht ilire e disa objekteve arkeologjike.

Ai tha se kjo ekspozitë mundëson njohjen e publikut të gjerë vendas e të huaj me dëshmi të lashtësisë së kulturës së popullit shqiptar.

Këto objekte tregojnë se Akademia e Shkencave nuk është thjesht pohuese e lashtësisë së origjinës së popullit shqiptar, por vërtetuese e promovuese e tyre. Është ajo, bota akademike që ka vërtetuar e provuar këtë lashtësi pasi ato janë produkt i hulumtimeve dhjetëravjeçare të Institutit të Arkeologjisë, pjesë e kësaj akademie.

Akad. Gjinushi theksoi se, sipas marrëveshjes së dakordësuar, Banka e Shqipërisë është vendi më i sigurt e më me impakt për ekspozimin e 19 objekteve arkeologjike dhe 210 monedhave numizmatike, pjesë e fondit të këtij Instituti.

Në vijim u bë firmosja e marrëveshjes nga akad. Adem Bunguri, drejtor i Institutit të Arkeologjisë, dhe z. Altin Tanku, drejtor i Departamentit të Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë.

Marrëveshja synon të garantojë ruajtjen dhe promovimin e objekteve dhe koleksioneve të ofruara nga Instituti Arkeologjik për Muzeun e Bankës së Shqipërisë, duke konsoliduar më tej bashkëpunim mes dy Institucioneve. Me krijimin e Muzeut Autonom të Arkeologjisë, pranë Akademisë së Shkencave, ky bashkëpunim do të zgjerohet përmes projekteve të përbashkëta, ekspozitave dhe pasurimit të mëtejshëm të përmbajtjes muzeale me vlera të reja nga Antikiteti.

Që prej vitit 2015, Banka e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave, së bashku me profesorë dhe studiues të saj nga Instituti i Arkeologjisë dhe Instituti i Historisë, kanë ndërtuar një marrëdhënie të ngushtë bashkëpunimi. Kontributi i tyre ka qenë thelbësor në hartimin e platformës shkencore të Muzeut të Bankës së Shqipërisë dhe pasurimin e ekspozitës së tij të përhershme.

Banka e Shqipërisë marrëveshje me Akademinë e Shkencave - Foto: Agim Dobi 1 nga 7

/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›