Veliaj fton fituesit e fazës së parë të programit të kredisë së butë për banesë: Afat deri në 4 mars

TIRANË, 19 shkurt/ATSH/ Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i bëri thirrje publike të gjithë qytetarëve që kanë kaluar me sukses në fazën e parë të programit të kredisë së butë, që të plotësojnë dosjen e dokumentacionit deri në 4 mars.
Në një postim në rrjetet sociale ndërkohë që ndodhet në paraburgimin e Durrësit, Veliaj u bëri thirrje të gjithë fituesve të fazës së parë të sjellin dokumentacionin e nevojshëm në fazën e dytë brenda afatit të caktuar.
Ai thekson se, pavarësisht se ndodhet i izoluar, mbetet i angazhuar në procesin e realizimit të projekteve sociale për qytetarët.
“Programi i kredisë së butë për çiftet e reja dhe familjet e pastreha është një nga projektet që kam më për zemër dhe gjatë këtyre viteve, pasi e rihapëm, kemi ndihmuar plot qytetarë të Tiranës që të blejnë shtëpinë e tyre me ndihmën e qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës”, u shpreh Veliaj.
Veliaj theksoi se në fazën e parë u shpallën fitues 2237 aplikues.
“Edhe pse ndodhem i mbyllur në qeli pa akuzë, i dënuar pa gjyq, dua të ftoj çdo qytetar që ka aplikuar gjatë fazës së parë të programit ( ku u shpallën fitues 2237 aplikues) që të sjellin dokumentacionin e nevojshëm në fazën e dytë”, u shpreh më tej Veliaj.
Veliaj theksoi se deri më tani, në fazën e dytë, kanë dorëzuar dokumentacionin për kredi të butë shumë prej aplikuesve, ndërkohë që ka kohë deri në datën 4 mars.
“Çdokush që është shpallur fitues i fazës së parë duhet të dorëzojë dokumentacionin e plotë brenda datës 4 mars pranë sporteleve të Zyrës së Shërbimeve me një Ndalesë në Rr. e Kavajës, pasi janë plot 1200 kuota në dispozicion”, shkruan kryebashkiaku Veliaj.
Të gjithë fituesit e fazës së parë të programit “Subvencionimi i Interesave të Kredisë”, kanë afat të fundit për dorëzimin e dokumentacionit deri më 4 mars 2025. Dokumentet dorëzohen pranë Zyrës së Shërbimeve me një ndalesë, Bashkia Tiranë. /m.m/j.p/