Ekspozita “Besa”/ Rama nderon shpëtimtarët e hebrenjve: Kur Evropa u dorëzua, shqiptarët zgjodhën ndërgjegjen përpara urdhrit

Në një kohë kur bota reflekton mbi të shkuarën e saj më të errët, Tirana ka çelur sot ekspozitën “Besa”, një homazh për historinë unike të shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
I pranishëm në ceremoninë e hapjes, Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim sa emocional dhe filozofik, duke sjellë në vëmendje mendimet e filozofes së njohur Hannah Arendt për të shpjeguar natyrën e së keqes dhe heroizmin e heshtur të shqiptarëve.
“E keqja banale” dhe përgjigja shqiptare
Duke cituar Arendt, Rama theksoi se Holokausti nuk u realizua vetëm nga përbindësha, por nga burokracia e zakonshme dhe njerëz që thjesht “bindeshin”.
“E keqja shpesh nuk është djallëzore apo e bujshme, por e zakonshme, administrative dhe e përulur. Është thjesht banale,” u shpreh Rama.
Por, sipas Kryeministrit, në Shqipëri ndodhi e kundërta. Ndërsa Evropa ia dorëzonte gjykimin frikës, shqiptarët, ndonëse të varfër dhe pa fuqi strategjike, zbuluan aftësinë për të parë detyrimin moral në fytyrën e tjetrit.
“Kur nazistët kërkuan listat e hebrenjve, shqiptarët i shkatërruan ato. Kur të tjerët dorëzuan fqinjët, shqiptarët u ofruan siguri,” tha ai, duke kujtuar se Shqipëria doli nga lufta si i vetmi vend në Evropë me më shumë hebrenj se sa kishte para saj.
E drejta për të mos u bindur
Kryeministri u ndal gjatë tek koncepti i bindjes ndaj autoritetit. Ai solli në vëmendje një parim të fortë të Arendt: “Askush nuk ka të drejtë të bindet”.
Sipas Ramës, bindja ndaj padrejtësisë është bashkëfajësi. Ai vlerësoi familjet shqiptare që zgjodhën të mos binden, duke shpëtuar kështu jo vetëm jetët e hebrenjve, por edhe nderin e kombit. “Atje ku kombet e tjera u bindën, shqiptarët refuzuan. Ato pak familje që nuk u bindën, e ruajtën botën nga kolapsi moral,” nënvizoi Rama.
Gjestet e vogla që mposhtën totalitarizmin
Përtej heroizmave të mëdha, Rama vlerësoi gjestet e përditshme të mikpritjes shqiptare – ndarjen e bukës, gotën e qumështit, hapjen e derës. Këto veprime, sipas tij, “ishin përgjigja më e fortë ndaj makinerisë së shfarosjes“.
“Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut. Këto veprime të thjeshta nuk ishin politikë apo strategji, ishin gjykimi moral i njerëzve të zakonshëm, pikërisht ajo çka totalitarizmi përpiqej ta zhdukte,” tha Kryeministri.
Historia si busull
Në përmbyllje të fjalës së tij, Rama theksoi se kjo histori nuk duhet parë si një “stoli” për të impresionuar botën, por si një busull orientuese për të sotmen.
“Hannah Arendt na mësoi se vija mes të mirës dhe të keqes nuk kalon mes kombeve, por brenda zemrave njerëzore,” përfundoi Rama, duke bekuar kujtimin e atyre që shpëtuan hebrenjtë dhe, duke bërë këtë, “shpëtuan Shqipërinë nga turpi”.