E Diel, 1 Nëntor 2026

Reshjet në Gjirokastër – Situata nën kontroll, vijojnë punimet në rrugën Glinë-Nepravishtë

Reshjet e shiut gjatë natës kanë sjellë disa problematika në qarkun e Gjirokastrës, kryesisht në akse rurale dhe zona me rrezikshmëri të lartë nga rrëshqitjet e dherave.

Autoritetet vendore dhe strukturat e emergjencave civile kanë qenë në terren që në orët e para të mëngjesit, duke ndjekur nga afër situatën dhe duke ndërhyrë në segmentet problematike. Gjatë natës në territorin e qarkut Gjirokastër kanë rënë reshje me intensitet mesatar dhe shtrëngata të herëpashershme, të cilat kanë sjellë disa problematika të izoluara.

Në Bashkinë Gjirokastër, aksi rrugor Kolonjë–Golëm është bllokuar sërish nga inertët e paqëndrueshëm dhe njësia vendore ka njoftuar kontraktuesin e rikonstruksionit për ndërhyrje. Ndërkohë, në Bashkinë Dropull vijon puna për vënien në funksion të rrugës Glinë–Nepravishtë, ku janë angazhuar mjete të rënda të ndërhyrjes, ndërsa Bashkitë Libohovë, Tepelenë, Memaliaj dhe Këlcyrë nuk raportojnë problematika.

Në Bashkinë Përmet ka pasur shkarje dherash në njësinë administrative Frashër, konkretisht në rrugët Frashër–Verçishtë dhe Frashër–Mičan.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Jugut të ARRSH, akset kryesore të qarkut janë të qarkullueshme, ndërsa gjatë ditës së sotme kontraktori i mirëmbajtjes ka punuar për pastrimin e inertëve që kishin bllokuar një sens të aksit Tepelenë–Gjirokastër.

Edhe OSHEE bën të ditur se i gjithë qarku furnizohet normalisht me energji elektrike. Sa i përket raportimit hidrologjik, niveli i lumit Vjosë regjistrohet 3.3 metra në urën e Përmetit dhe 5 metra në urën e Memaliajt.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›