Ekspozita “Një rrugëtim në historinë e lajmit”, Çapaliku: ATSH, një burim i jashtëzakonshëm informacioni

TIRANË, 14 maj /ATSH/ Studiuesi dhe drejtori i Qendrës së Studimit të Arteve pranë Akademisë së Shkencave, Stefan Çapaliku vizitoi ekspozitën “Një rrugëtim në historinë e lajmit”, e çelur prej disa ditësh në Kalanë e Tiranës nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, ku u njoh nga afër me materialet arkivore dhe dokumentare që pasqyrojnë historinë e Shqipërisë ndër vite.
Gjatë vizitës, Çapaliku vlerësoi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të arkivave, duke i cilësuar ato si një pasuri të jashtëzakonshme të kujtesës historike dhe kulturore të vendit.
“Jam këtu si një vizitor, më së shumti si një njeri i interesuar në përgjithësi për arkivat dhe për çdo gjë që i takon së shkuarës edhe me bindjen që të mund ta përkrahim sa më shumë çdo iniciativë që ka lidhje me promovimin e arkivave”.
“Motoja evropiane prej dekadash ka qenë dhe vazhdon të jetë: “Mbro dhe promovo”. Çfarë do të thotë “Mbro dhe promovo”? Do të thotë që atë pak buxhet që ne kemi për trashëgiminë tonë kulturore ta shpenzojmë në mënyrë të barabartë midis konservimit dhe promovimit”, theksoi Çapaliku.
Duke vlerësuar rolin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Çapaliku tha se “ATSH përfaqëson një burim të jashtëzakonshëm informacioni, jo vetëm verbal, por edhe viziv për historinë e Shqipërisë nga vitet ’30 e deri më sot”.
“Do të duhej që gjithë gjysma e Tiranës të ishte një ekspo e madhe dhe përsëri do të mbeten materiale në ATSH pa u ekspozuar. Pra është një pus i madh”, tha ai.
Më tej Çapaliku foli edhe për një iniciativë të përbashkët të ATSH-së me Qendrën së Studimit të Arteve pranë Akademisë së Shkencave dhe Muzeun “Marubi”.
“Ne kemi kemi nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me ATSH-në dhe me muzeun “Marubi” për të hartuar një antologji të fotografisë shqiptare, për të cilën ka nisur puna edhe shpresojmë që ky bashkëpunim të jetë vetëm fillimi i një pune që do të vijojë”, tha Çapaliku.
E hapur prej 9 majit, ekspozita e ATSH-së “Një rrugëtim në historinë e lajmit” është vizituar deri më sot nga shumë vizitorë vendas dhe të huaj, studiues, historianë, personalitete të artit dhe kulturës, si dhe ish-punonjës dhe gazetarë të këtij institucioni.
Ekspozita e hapur nga ATSH në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA) sjell një pasqyrë të plotë të historisë së informacionit në Shqipëri, duke dokumentuar transformimin e lajmit si mjet komunikimi publik, instrument institucional dhe pjesë e kujtesës kombëtare. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun edhe në ditët në vijim në ambientet e Kalasë së Tiranës.
/k.s/e.r/a.f/r.e/