Humb jetën në aksident ish-profesori i Fakultetit të Drejtësisë, Luan Pirdeni

TIRANË, 14 maj/ATSH/ Profesor Luan Pirdeni humbi jetën sot në një aksident rrugor të ndodhur në Tiranë.
87-vjeçari po lëvizte me biçikletë kur u përplas nga një motomjet rreth orës 12:00 në kryqëzimin e rrugës “Bardhyl” me rrugën “Kongresi i Manastirit”.
Profesor Pirdeni u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës në gjendje kritike, por humbi jetën disa orë më vonë për shkak të plagëve të rënda.
Policia njoftoi pasditen e sotme për aksidentin duke vënë në dukje edhe dinamikën e ngjarjes. Policia ka arrestuar drejtuesin e motorit, shtetasin S. M., 31 vjeç.
Profesor Luan Pirdeni ka qenë pedagog në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, kryesisht i angazhuar pranë Departamentit të të Drejtës Publike.
Lënda kryesore që ai ka dhënë dhe për të cilën ka botuar edhe literaturë akademike është Hyrje në Logjikë (ose Logjika Juridike).
Ai ka shërbyer për vite me radhë si pedagog i jashtëm në këtë departament, duke u fokusuar në formësimin e logjikës formale dhe parimeve të argumentimit ligjor për studentët e drejtësisë.
Profesor Luan Pirdeni ishte gjithashtu babai i ministres së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni.