Ekspozitë me piktura të realizuara gjatë “Ditëve të Mios”

TIRANË, 31 tetor/ATSH/ Sot përmbyllet kolonia ndërkombëtare e piktorëve “Ditët e Mios”.
Edicioni i 15-të i kësaj kolonie mblodhi në Korçë për 4 ditë, piktorë vendas dhe të huaj, plot krijimtari, ngjyra dhe frymëzim. Të gjitha këto do të shpalosen në ekspozitën që mbledh zemrën e artit dhe shpirtin e traditës korçare, në Galerinë e Bibliotekës “Thimi Mitko”.
Në punët e piktorëve të kësaj kolonie, vjen Korça, ashtu siç e panë dhe ndjenë artistët nga e gjithë bota. Ata zbuluan magjinë e qytetit, por edhe të fshatrave përreth, rrugicat me kalldrëm, gjelbërimin dhe shpirtin korçar.
Piktorët patën rastin që në kuadër të “Ditëve të Mios” të vizitonin edhe Galerinë e Arteve Digjitale në Korçë, një hapësirë e bukur bashkëbisedimi, ku arti u kthye në gjuhën që bashkon kultura, përvoja dhe vizione të ndryshme.
“Ditët e Mios” nderon trashëgiminë e mjeshtrit të madh Vangjush Mio, duke e kthyer Korçën sërish në atelienë më të bukur të hapur, ku arti jeton mes njerëzve dhe natyrës.
1 nga 7/r.e/a.f/